Urdhri i Dakos: Siguri në plazhe ose pezullim aktiviteti

854
Kryetari i Bashkisë së Durrësit kërkon ndërtimin e kullave të vrojtimit dhe vendosjen e rojeve. Tre ditë afat bizneseve
“Për ne është e rëndësishme jo të vëmë gjoba apo të pezullojmë aktivitete private duke marrë masa drastike, por të kujdesemi që të kemi plazhe të sigurta”,
Bashkia e Durrësit ka nisur kontrollin e kushteve të sigurisë në plazhet përgjatë gjithë vijës bregdetare për të përmirësuar kushtet për turistët e shumtë që frekuentojnë Adriatikun. Në plazhe mungojnë rojet bregdetare dhe ndihma e shpejtë, ndërsa një turist sllovak humbi jetën në det vetëm pak ditë më parë. Por punonjësit e bashkisë u lanë subjekteve private një afat treditor për të plotësuar këtë detyrim ligjor. “Me urdhër të kryetarit të bashkisë kemi dalë në të gjithë territorin, kemi marrë kontakte me bizneset që kanë marrë përsipër të ndërtojnë këto kulla të vendosin personat për të kryer funksionin e sigurisë dhe ne do t’i monitorojmë nga dita në ditë deri sa të arrijmë rezultatin që kërkojmë”, thotë Abdyl Koka, përfaqësues i bashkisë së Durrësit. 

Një tjetër problem është mungesa e sinjalistikës për hapësirën e lejuar për not. “Do të merremi, në bashkëpunim dhe me organet e tjera që i disponojnë këto mjete, që të arrijmë të kompletojmë edhe këtë pjesë që na mungon”, thotë Koka.

Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako paralajmëron edhe një herë heqjen e licencës për privatët që nuk do të plotësojnë kushtet e sigurisë edhe pas këtij kontrolli të parë. “Për ne është e rëndësishme jo të vëmë gjoba apo të pezullojmë aktivitete private duke marrim masa drastike por të kemi plazhe të sigurta”, tha Dako. Në të gjithë vijën bregdetare të Durrësit ushtrojnë aktivitetin rreth 300 subjekte private. Ato tashmë do të jenë të detyruar të marrin masa për të ngritur kullat e vrojtimit dhe për të vendosur roje, të cilët do të mbikëqyrin bregdetin dhe do të jenë të detyruar të ndërhyjnë për të shpëtuar jetët e njerëzve në rrezik. 

Reagimi i kreut të bashkisë së Durrësit vjen pas disa ngjarjeve të rënda në plazhet e vendit, ku shumë persona kanë humbur jetën. Së fundmi, ngjarja tragjike e Ksamilit tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, kur një turiste ruse u godit nga një motor uji, duke humbur jetën. Si pasojë, policia dhe autoritetet ndërhynë, duke bërë bllokimin e të gjithë motorëve të ujit. Në brigjet e Jugut, jo vetëm janë sekuestruar dhjetëra mjete ujore pa dokumentacionin përkatës, por zhurma e motorëve të ujit dhe skafeve nuk dëgjohet më. 
Sigal