Ura-Vajgurore, protestë kundër Këshillit Bashkiak, jep leje të reja mjedisi për guroret

1056
Sigal

Banorët e revoltuar: Puna e 23 guroreve që veprojnë prej më shumë se 15-vjetësh na ka shkatërruar jetën

Banorët e Urës-Vajgurore kanë protestuar përpara bashkisë së qytetit kundër ndotjes së theksuar të mjedisit nga veprimtaria e guroreve dhe kundër Këshillit Bashkiak që vazhdon të japë leje të reja mjedisi për gurore në këtë qytet.

Situata

Banorët e Urës-Vajgurore kanë protestuar përpara bashkisë kundër ndotjes së theksuar të mjedisit nga guroret dhe kundër Këshillit Bashkiak që vazhdon të japë leje të reja mjedisi për gurore në këtë qytet. Të indinjuar për ndotjen e theksuar të mjedisit nga veprimtaria e guroreve që po shkakton prej vitesh probleme edhe në shëndetin e tyre, ata kanë protestuar ditën e djeshme me pankarta në duar për largimin e guroreve nga ky qytet dhe nga mjediset e banuara. Puna e 23 guroreve që veprojnë prej më shumë se 15-vjetësh në Urë-Vajgurore kryhet në shumicën e rasteve edhe me shpërthime nëpërmjet minave, gjë që e ka shndërruar jetën e këtyre banorëve në një makth të vërtetë, pa përmendur këtu helmin që përhapet në ajër dhe shkuljen e qindra pishave shekullore. Banorët protestues kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të guroreve pasi pjesa më e madhe e tyre vuajnë prej vitesh nga sëmundje të ndryshme, si pasojë e pluhurit, ndotjes dhe helmit që përhapet në ajër.

Problemet

Prej 20 vjetësh këto miniera po marrin jetën e 12 mijë banorëve të pafajshëm, ndërsa 450 banesa janë të shkatërruara nga shpërthimet e lëndëve plasëse. Madje, disa herë janë rrezikuar edhe njerëzit. Nga shpërthimi i lëndëve plasëse dhe nga presioni në ajër, ngrihen një masiv gurësh të përmasave të ndryshme, të cilët kanë dëmtuar banesat. Deri tani janë dëmtuar dy fëmijë, të cilët kanë mbetur invalidë për shkak të moszbatimit të kushteve teknike të pronarëve të minierave, të cilët deri më sot nuk kanë mbajtur asnjë lloj përgjegjësie. “Nuk e dimë se ku e gjejnë këtë forcë këta pronarë, të cilët sfidojnë dhe ligjet e shtetit dhe kush fshihet pas tyre”, thonë banorët,  ku mes të tjerash janë shprehur edhe  për ndotjen e madhe nga pluhuri, i cili ka ndikuar në gjendjen e tyre shëndetësore. Në Qendrën Shëndetësore të këtij qyteti janë regjistruar mbi 100 persona që vuajnë pasojat e silikozës, e cila shfaqet nga pluhuri që ngrihet në ajër. Për këtë arsye banorët kërkojnë që të marren masa urgjente për të parandaluar gjendjen fatale të krijuar në këtë qytet, i cili çdo ditë është i mbuluar nga mjegulla e madhe e pluhurit që nxjerrin guroret. “Ne, gjatë gjithë kësaj kohe jemi ankuar në qeveri dhe në ministritë përkatëse, por ankesat tona kanë rënë në veshë të shurdhët. Nuk e kuptojmë pse kjo neglizhencë e qeverisë ndaj kërkesave të 12 mijë banorëve. Pse qeveria hesht kur populli i saj po vdes nga pasojat që krijohen nga minierat”, thanë banorët, të cilët ishin ditën e djeshme në protestë.