Universiteti Mesdhetar në Audiencën e Përgjithshme të Papa Franceskut në Vatikan me rastin e vitit jubile

76
Sigal

Papa Françesku takon akademikë shqiptarë, studentë dhe rektorë të tre universiteteve shqiptare në Vatikan, të pranishëm Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu

 

Me rastin e vitit jubilar të shpallur nga Selia e Shenjtë, një aktivitet i veçantë që forcon lidhjet kulturore dhe arsimore mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë është zhvilluar në Vatikan, ku Papa Françesku ka zhvilluar një Audiencë me pjesëmarrjen e mbi 100 studentëve dhe, rektorëve dhe akademikëve shqiptarë, nga disa universitete shqiptare dhe italiane.

Pjesë e audiencës u bënë edhe dy ministrat shqiptarë, ai i Punëve të Jashtme, Igli Hasani dhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu.

Gjatë audiencës së përgjithshme, Papa Françesku vuri theksin tek rëndësia e vlerave humane dhe angazhimi i përbashkët në promovimin e paqes, drejtësisë dhe vëllazërisë. Pas audiencës, Ati i Shenjtë Françesku përshëndeti studentët dhe akademikët shqiptarë, duke u drejtuar nga Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, dhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu.

UMSH bashkëpunime me universitetet italiane

Ky event dëshmoi të ishte një kënaqësi e veçantë për drejtuesit dhe një grup studentësh të një prej institucioneve më elitare në vend, Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, të cilët ishin pjesë në audiencën e përgjithshme të Papa Franceskut në Vatikan me rastin e vitit jubile, që është një vit i veçantë i faljes universale.

Përfaqësuesit e studentëve të UMSH, të drejtuar nga Presidenti i UMSH-së, Akademik prof. Anastas Angjeli, zv. Rektori prof. Greta Angjeli dhe pedagogët Sonila Nikolla dhe Ferjolt Ozuni, patën rastin të zhvillojnë takime dhe të shkëmbejnë eksperienca për të rritur bashkëpunimin me universitetet italiane, si La Sapienza, Universitetin e Peruxhias, Universitetin Roma Tre, etj.

Takimi me Atin e Shenjtë u pasua nga një tjetër pritje e organizuar ambasada e Republikës së Shqipërisë në Vatikan. Ambasadorja Frangaj, në një intervistë për televizionin italian, Retesole, e vlerësoi këte aktivitet, duke thënë se është folur për arsimin, që është një teme shumë e rëndëisshme dhe që Shqëria e ka prioritet.“Ishte një ditë shumë e rëndësishme, sepse ishim në Audiencë te Ati i Shenjtë, Papa Françesku, një grup studentësh shqiptarë, mbi 100 studentë, ministri i Jashtëm dhe ministrja e Arsimit. Ishte shumë e bukur të shihje këta studentë të shoqëruar nga dy ministrat. U fol edhe për arsimin, që është një temë shumë e rëndësishme dhe ka prioritet në Shqipëri. Ishte një rast unik, sepse me rastin e vitit jubilar, sot ishin të  pranishëm te Papa Françesku studentë dhe profesorë, të cilët i përkisnin besimeve të ndryshme fetare, jo vetëm besimit katolik. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Shqipëria tregoi edhe njëherë tjetër vëllazërinë dhe bashkëjetesën paqësore mes besimeve fetare. Dhe të shihje pikërisht në Vatikan të gjitha këto studente e profesorë te besimeve te ndryshme fetare, ishte shumë prekëse edhe për mua personalisht”, tha ambasadorja Frangaj.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani nënvizoi rolin që ka rinia si burimi më i madh i vendit për të tashmen dhe të ardhmen.“Është një moment i rëndësishëm krenarie, e vëllazërie ndërmjet dy popujve. Jam i sigurt, se këto nuk kanë vetëm vlerë simbolike”, tha Hasani.

Nga ana tjetër Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu theksin e vuri tek momenti i reflektimit dhe mesazhet që jep kjo audiencë.“Jemi këtu për këtë Audience të Përgjithshme të Papa Françeskut, një moment unik dhe i reflektimit, të forcës së transformimit që ka edukimi për të rritur më tej vlerat e përbashkëta që ne kemi”, tha Manastirliu.

Pjesëmarrësit bënë gjithashtu edhe kalimin e Portës së Shenjtë, e cila hapet një herë në 50 vjet. Selia e Shenjtë e ka shpallur vitin 2025, si Vit Jubile. Sipas traditës biblike, Viti Jubilar është një vit i veçantë i faljes universal në Kishën Katolike që kremtohet çdo 25 vjet, por mund të shpallet edhe në raste të tjera të jashtëzakonshme nga Papa.