Universitetet, publikohen kuotat dhe datat e listave fituese

822
Zv/ministri i Arsimit thotë se maturantët që kanë aplikuar në raundin e parë do të kenë mundësi të njihen me degët e studimit më 28 dhe 29 gusht
Maturantët në të gjithë Shqipërinë që kanë plotësuar formularin A1 deri në datën 28 korrik, në fund të muajt gusht do të kenë mundësi të njihen me listat e fituesve për institucionet e arsimit të lartë. Zv/ministri i Arsimit, Gert Janaqi, gjatë një deklarate për mediet, ka bërë publike ditën e djeshme se si do të procedohet në përzgjedhjen e maturantëve që do të jenë fitues të raundit të parë. Ai ka deklaruar numrin e kuotave të lira dhe datën kur çdo maturant do të ketë mundësi të dijë nëse ka fituar degën që ai dëshironte apo jo. Maturantët kanë qenë të lirë të zgjidhnin deri në 10 degë studimi, ku renditja nuk kishte rëndësi për të aplikuar në një nga degët e universiteteve qofshin këto publike apo private, kriter ku mbetej gjithnjë mesatarja e shkollës së mesme. Janaqi ka thënë se të gjithë universitetet apo institucionet e arsimit të lartë janë duke u marrë me databazën e të dhënave të aplikantëve që janë kandidat për student. Çdo universitet do të njihet me listën e aplikantëve që kanë zgjedhur programet e studimit, me notat e të gjithë shkollës së mesme, mesataren e tre viteve, rezultatet e provimeve të maturës dhe mesataren e tyre, indekset e profileve të shkollës së mesme, së bashku me mesataren e përllogaritur sipas vendimit të qeverisë. Çdo student do të ketë mundësi të njihet me listën e fituesve në datat 28 dhe 29 gusht. Zv/ministri Janaqi ka thënë se këtë vit ka pasur në një total aplikimesh prej 25,822 maturantë për kuotat brenda vendit. Gjithashtu zv/ministri ka zbuluar edhe numrin e kuotave që janë në dispozicion, ku nga 32,267 kuota që janë në total, 22,897 janë në universitetet publike dhe 9371 kuota në universitetet private, ku vihet re se numri i kuotave që universitetet ofrojnë këtë vit është më i lartë së ai i aplikantëve. Gjithashtu një e dhënë tjetër që është bërë publike ka të bëjë me degët më të kërkuara, ku Universiteti i Tiranës vazhdon të mbajë numrin më të lartë të aplikantëve. Dega Administrim Biznesi është renditur e para, ku ka rreth 6987 aplikantë, ku pasohet nga Drejtësia me 6435, Psikologjia me 5685 aplikantë, ku duhet thënë se 10 degët më të kërkuara vijnë nga Universitetit të Tiranës. Zv/ministri Janaqi ka thënë se në ditët në vijim do të ketë një komunikim se si çdo maturantë do të monitorojë online të gjithë procesin si do të shpallet fitues dhe mënyrën e regjistrimit nëpërmjet portalit U-Albania.

Datat e vjeshtës për Maturën Shtetërore
Të gjithë maturantët, të cilët nuk patën mundësi apo rezultuan mbetës në një apo më shumë provime në Maturën Shtetërore, kanë një mundësi të dytë për t’i dhënë ato. Provimi i parë do të jetë ai i Gjuhë Shqipe dhe Letërsi D1 në datën 26 gusht 2017, ku do të ndiqet më pas nga Matematika D2 më datë 29 gusht. Provimi i tretë për maturantët mbetës është ai i Gjuhës së huaj D3 më datë 1 shtator dhe provimet me zgjedhje Z1 Z2 do të jenë më datë 6 shator. 

Dokumentet që duhen për t’u regjistruar
Aplikantët dorëzojnë personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar me prokurë nga ana e tyre dokumentacionin e mëposhtëm:
1. Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja.
2. Fotokopjen e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose të dëftesës së pjekurisë së bashku me certifikatën e notave. 
3. Të firmosin deklaratën e paraqitur të sekretarit.
Sigal