Universitetet, nis llogaritja e pikëve

593
Universitetet, mbyllen aplikimet, nis llogaritja e pikëve
Shkollat e larta njoftojnë ngritjen e një grupi teknik për vlerësimin, ndërsa departamentet do të vendosin
Pas 10 ditëve intensive është mbyllur tanimë portali i maturës shtetërore, ku maturantët mund të aplikonin për të vijuar studimet e larta. Të ndarë sipas drejtorive arsimore, maturantët bënë plotësimin e të dhënave, si dhe zgjodhën preferencat e tyre. Në bazë të rregullores, ata kishin të drejtë të zgjidhnin deri në 10 degë ku dëshironin të studionin. Data 30 korrik që ishte lënë si rezervë për ata që nuk kishin mundur të aplikonin sipas kalendarit, ka regjistruar vetëm dy maturantë. Tanimë të dhënat po përpunohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, për t’ua kaluar rezultatet në datën 23 gusht departamenteve përkatëse në universitete. “Institucioni që ka përgjegjësinë ligjore të vlerësimit të kandidatëve, të përllogaritjes së pikëve dhe përzgjedhjes së studentëve, është departamenti. Ne do të ngremë një grup teknik në nivel universitetit që për nevoja që do të kenë departamente të ndryshme do ta vëmë në dispozicion thjesht për llogaritjen e pikëve”, tha për mediet, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Fituesit e raundit të parë pritet të shpallen më 29 gusht. Në universitetin e Tiranës priten rreth 6.600 studentë të rinj dhe departamentet kanë përcaktuar formulën e tyre për përllogaritjen e pikëve. “Tek Fakulteti i Histori-Filologjisë përsëri e kemi thjeshtëzuar, është 80% e pikëve nga mesatarja e 3 viteve dhe 20% nga mesatarja e Maturës Shtetërore”, u shpreh Koni. Rektori i Universitetit të Tiranës i bën thirrje maturantëve që të tregohen të vëmendshëm dhe të bëjnë dhe vetë llogaritjen e pikëve në bazë të kritereve të përcaktimit dhe të paraqiten për ankimim. Nga ana tjetër, sipas Konit, ky proces kërkon kujdes për të parë shanset se ku ata mund të shpallen fitues për të bërë regjistrimin brenda 48 orëve.

Fazat e tjera
Më 29 gusht nis shpallja e fituesve dhe regjistrimi i tyre në universitete, proces i cili duhet të kryhet brenda 48 orëve. Në fakt publikimi i fituesve në faqet e universiteteve mund të nisë që më datën 28 gusht dhe në datën 29 gusht do të fillojë menjëherë edhe regjistrimi për në universitet. Raundi i parë i pranimit të institucionet e arsimit të lartë do të zgjasë 14 ditë dhe ka 7 minifaza 48-orëshe. Nga data 29 gusht deri më 11 shtator, aplikantët të cilët kanë rezultuar fitues duhet të kryejnë procesin e regjistrimit. Gjatë këtyre datave, aplikantët duhet të jenë të vëmendshëm në ndjekjen e procesit. Nëse shpallen fitues në një nga programet e studimit që kanë renditur, ata duhet të regjistrohen brenda 48 orëve. Në të kundërt humbin të drejtën për të vijuar programin studimit.

Ndërsa raundi i dytë fillon më 15 shtator kur maturanti mund të riaplikojë, duke zgjedhur edhe programe të tjera të ndryshme nga raundi i parë. Në këtë raund mund të aplikojnë ata që kanë marrë provimet e maturës në vjeshtë, apo ata të cilët kanë mbaruar maturën në një vend jashtë Shqipërisë dhe nga data 1 tetor deri më 14 të gjithë maturantët që janë shpallur fitues mund të regjistrohen. Këtë radhë viza e kuqe e fituesve do të zhvendoset në kohë reale sapo të lirohet vendi bosh.

I gjithë procesi i pranimit në shkollat e larta parashikohet të zgjasë rreth dy muaj, një periudhë e gjatë dhe e vështirë për mijëra maturantë dhe familjet e tyre. Pas plotësimit të 10 preferencave, ata duhet të presin fazat e ndryshme të seleksionimit në kandidatëve, që do të mbyllen vetëm në muajin tetor me regjistrimin final të fituesve në një universitet publik apo privat.
Sigal