Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Urdhri i prokurorit cënon lirinë informuese

129
Sigal

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi pas vendimit të Prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që u ndalon gazetarëve të publikojnë materialet e rrjedhura nga hakerat. Sipas një deklarate për mediat, Unioni i Gazetarëve vlerëson se vendimi i Prokurorit nuk mbron dhe as parandalon, por cenon lirinë informuese. UGSH vlerëson se vendimi i prokurorit të Prokurorisë Gjyqësore dhe paralajmërimi kërcënues për nisje hetimesh, përbëjnë në mos një kërcënim të drejtpërdrejtë,  padyshim të tërthortë, për lirinë e informimit, të fjalës dhe të raportimit. Krijon premisë të fortë për censurim dhe vetëcensurë në realitetin informues. Inkurajimi nga ana e Prokurorisë për përfshirje në këtë monitorim të disa institucioneve, enteve publike rregulluese dhe hetim të krejt spektrit multimedial dhe komunikimeve në rrjet, janë mundësi abuzuese për kontroll dhe survejim të mediumeve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shprehet kundër një praktike të tillë. Ky vendim prokurori nuk ka të bëjë me një çështje apo me një aspekt të veçantë sigurie, por tenton të përgjegjësojë ata gazetarë dhe media që përdorin informacionin “e derdhur publikisht nga “çezma” apo kompjuterat” e sabotuar të shtetit.