Ultimatumi i pazakontë i Bashkisë: Të ndajmë turizmin nga bagëtitë!

569
Në Shqipëri, jo pak herë është konstatuar problematika e prezencës së bagëtive në zonat turistike apo në qytete. Madje edhe gjatë këtij sezoni veror, prezenca e bagëtive në zonat bregdetare është bërë objekt diskutimi edhe në rrjetet sociale.
Për t’i dhënë zgjidhje një problematike të tillë, Bashkia e Sarandës ka lëshuar një ultimatum për ata që mbarështojnë bagëti në Ksamil e Sarandë. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, kjo bashki paralajmëron ata që mbarështojnë bagëti në këto zona se nëse nuk do t’i mbajnë ato në regjim stallor, atëhere ato do të sekuestrohen e do të përfundojnë në thertore me qëllim që më pas të përdoren si ushqim falas në institucionet sociale.
Mëposhtë njoftimi i plotë:
“Njoftohen të gjithë qytetarët, banorë të Sarandës dhe Ksamilit, që mbarështojnë bagëti në këto territore, se Bashkia do të ndërmarrë veprime me tolerancë zero në zbatim të ligjit, për të ndarë përfundimisht turizmin nga bagëtitë.
Në çdo rast që do të kapen të imta dhe gjedhë jashtë regjimit stallor, në qendrat e banuara te këtyre territoreve, ato do të përfundojnë në thertore dhe mishi i tyre do të jepet për konsum falas në institucione sociale etj.
Është hera e fundit që mbarështuesit e bagëtive të imta apo gjedhë, porositen t’i mbajnë në regjim stallor, ose t’i tregtojnë ato apo t’i therin dhe t’i konsumojnë vetë, përpara se të sekuestrohen dhe çohen në thertore”.
Sigal