Përse të mos hiqet kamat-vonesa me qëllimin e mirë që qytetarët të paguajnë detyrimet e tyre
Operacionet e OSHEE në të gjithë hapësirën Shqiptare po vejnë në vështirësi shumë familje të varfra të cilat prej më shumë se shtatë vitesh s’kanë mundur të paguajnë energjinë elektrike.
Ky operacion i cili po merret në kohën më të papërshtatshme të dimrit, ku shumë prej familjeve në vend po jetojnë nën dritën e mekur të qiririt, po ndihen tej mase të zhgënjyer dhe thellësisht të zëmëruar ndaj këtij digasteri i cili po grabit qytetarët duke paguar faturat të ardhur nga ish punonjës që vetëm lidhje me KESH –in nuk kishin, shto këtu dhe kamat-vonesën e cila rëndon dyfish mbi qytetarët të cilët nuk janë në gjendje të sigurojnë as bukën e gojës.
Nga burimet konfidenciale të marra, rezulton se një familje prej dy anëtarësh duhet t’i paguajë OSHEE pesë milion lekë ku mbi dy milionë është vetëm kamat-vonesa nga që nuk janë në gjendje të paguajnë të gjithë shumën që të përfitojnë uljen e 80% që vendosi qeveria.
Ku gabuan këtu qytetarët, që për shkak të mos menaxhimit të rregullt të qeverive të mëparshme të paguajnë sot dyfish haraç? Përse të mos hiqet kamat-vonesa me qëllimin e mirë që qytetarët të paguajnë detyrimet e tyre, ani pse faturat vinin afrofe? Në djall ato fatura le t’i paguajmë!
Pagesa e faturave të energjisë elektrike është një detyrim për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, por ajo duhet të menaxhohet rregullisht nga shteti dhe jo t’u kërkohet qytetarëve kamat-vonesa e gjithë atyre viteve.
Përse të merret kamat-vonesë?
Përse nuk hiqet ajo?
Kush përfiton në këto raste?
Sa investime bëri KESH gjatë këtyre shtatë viteve në territorin shqiptar?
Qoftë edhe një tel nuk e kanë shtrirë diku. Ishte kjo kompania më e pështirë e cila e futi shtetin tonë në një kolaps të pazgjidhur duke krijuar problem të pa riparueshme, dëmet e së cilës po i paguan populli shqiptar. Pothuajse në të gjithë hapësirën shqiptare po vazhdojnë të rilidhen kontratat e gjobave që për vite të tëra vendosi KESH, të cilat janë denoncuar këto edhe nga Kryeministri i Shqipërisë z Edi Rama.
Nuk kanë kaluar edhe aq shumë kohë, sa të harrohen këto probleme të ngritura nga shefi i qeverisë i cili s’ka pak që ishte në opozitë. Ai ishte avokati më i drejtë i cili mbronte të drejtat dhe liritë tonë kur cenoheshin nga qeveria e mëparshme. Po sot ç’ ndodhi vallë?
Mos ndoshta ishte gabuar dhe se problemet e ngritura nga ana e tij nuk ishin të vërteta?
Si është e mundur me një ekonomi të dërrmuar, me një popull krejtësisht të lodhur pa një kacidhe në xhep të detyrohen të paguajnë kamat-vonesat të cilat dyfishojnë totalin e konsumit të harxhuar nga ata? Kush është sot avokati i këtyre njerëzve? Nga kush duhet të presim që populli të kuptojë se kamata është zinxhiri i lidhur në duart dhe këmbët e njerëzve të varfër. Po kush është i pasur sot në Shqipëri? Po të pasur janë ata që për vite të tëra grabitën dhe vodhën popullin, të pasur janë ata që e panë vendin tonë si një plaçkë për të mbushur xhepat e tyre. Të pasur janë ata që uzurpuan territore në bregdete dhe kontrollojnë gjithë monopolet e ngritura në Shqipëri. Kush është i pasur këtu, populli i cili jeton nën minimumin e jetesës, apo ndonjë familje që me zi e ka të punësuar një person? Po ku është e mjaftueshme ajo pagë? Për të paguar faturat e mbetura prej vitesh? Për të paguar kamat-vonesat? Për të mbushur xhepat OSHEE? Ç’ bëri OSHEE-ja për të përmirësuar situatën energjetike në vend? Ç’po bën ajo për të eliminuar humbjet në rrjet, të cilat do të kompensonin të gjitha dëmin e shkaktuar nga mos pagesa e atyre faturave? Është fare e thjeshtë për të zgjedhur rrugën më të lehtë, t’i kundërvihemi njerëzve të varfër. T’ua presim atyre dritat dhe nëse i lidhin t’i dënojmë me burg. Po kush duhet të hyjë në burg këtu? Kush, ata që s’patën para të paguajnë dritat apo ata që vodhën Shqipërinë?
Unë mendoj se Kryeministri i Shqipërisë duhet ta rishikojë dhe njëherë ligjin për pagesat e prapambetura dhe ta largojë kamat-vonesën. Kjo do të ishte rruga më e drejtë për të paguar atë që realisht është harxhuar. Kamat-vonesa është mundësia më e padrejtë që mund t’ju afrohet qytetarëve që t’i paguajnë detyrimet e ligjshme në këto prag festash. Shumë njerëz dëshirojnë që të mbesin në histori, por koha ka provuar, se diktatorët janë ata që e kanë më të lehtë ta bëjnë atë. Dëshiroj që tragjedi të tilla, që kaloi ndër vite Shqipëria të mos përsëriten kurrë më.

















