Ujërat e zeza përfundojnë në liqenin e Butrintit

570
Në Sarandë vijon odisea e derdhjes së ujërave të zeza në det. Problem këtë radhë është bërë sërish një pjesë e tubacionit me presion të lartë që ka pësuar çarje. Kështu, specialistët e ujësjellës-kanalizimeve thanë se tubacionet janë çarë për shkak të cilësisë së dobët nga firma kontraktuese. Derdhja e ujërave të zeza nisi para disa ditësh, kur në Sarandë u ça tubi, i cili dërgon ujërat e zeza tek impianti i përpunimit të tyre dhe si pasojë në liqenin e Butrintit vërshuan ujërat e zeza, të cilat ndikuan në ngordhjen edhe të pak midhjeve që i kishin mbijetuar temperaturave të larta. Ditën e djeshme ujërat e zeza janë mbledhur afër një gjiri ku ushtron aktivitetin edhe një restorant-bar privat. Specialistët e ndërmarrjes së ujësjellës–kanalizime së bashku me drejtorin Sheme Lulo, pasi e panë vendin nga afër, dërguan agregatin për të pastruar këtë pjesë, e cila po shpërndahej në të gjithë liqenin. Pronari i biznesit jashtë kamerës tha se ngado mbizotëron era fekale. Pas prishjes së tubacionit kryesor tashmë është gjetur një zgjidhje provizore, pasi prej 15-ditësh ujërat e zeza të qytetit e Sarandës derdhen në lumin e Bistricës. Kjo zgjidhje përbën një kthim në mënyrën e vjetër, përpara se të zgjidhej problemi i përpunimit të ujërave të zeza. Distanca e derdhjes së ujërave të zeza nga deti është rreth 50 metra në vendin e quajtur Kanali i Çukës.
Sigal