“U vetëvar me çarçaf në qeli”, zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë brenda Komisariatit të Kavajës

168
Sigal

Ilvi Meta, 28 vjeç, i cili ishte ndaluar rreth orës 14:00 të ditës së sotme nga policia si i dyshuar për disa vjedhje, u gjet i vetëvarur në qeli në orën 19:00.

Ngjarja ka ndodhur në Komisariatin e Kavajës, ku 28-vjeçari po mbahej i ndaluar. Ai ndodhej në një prej qelive të paraburgimit të katit të parë të godinës 2 katëshe.

Nga hetimet paraprake, i riu ka përdorur një çarçaf për ti dhënë fund jetës, ndërsa dyshohet se ka qenë gjendja e rënduar psikologjike që e ka shtyrë drejt aktit final.

Viktima u gjet i pajetë nga një prej oficerëve të policisë, i cili më pas ka dhënë alarmin.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe drejtues të Policisë së Shtetit si dhe një grup ekspertësh.

Nga AMP ka nisur marrja në pyetje e efektivëve përgjegjës për sigurinë dhe mbarëvajtjen e të paraburgosurve por edhe të drejtuesve të rendit në Kavajë.

Ata do të pyeten me detaje që në rrethanat e arrestimit dhe procedurat që kanë ndjekur ndaj Ilvi Metës, po ashtu edhe për atë që kanë konstatuar në veprimet e të riut dhe kushtet psikologjike të tij.

Burime bëjnë me dije se 28-vieçari është shoqëruar edhe herë të tjera në komisariat. Drejtoria e Standarteve Profesionale pritet të marrë masa me dyshimet për shpërdorim detyre të punonjësve të policisë që kanë qenë në shërbim dhe në kontroll të vazhdueshëm të dhomave të paraburgimit.

Nuk përjashtohet mundësia e shkarkimit nga detyra dhe prerjes së flet-arrestit për shpërdorim detyre për ndonjërin nga punonjësit e turnit.