U raportua për të shtëna me armë, detaje nga ngjarja në Kurbin: 51 vjeçari vdiq pasi u rrëzua në kanal

183
Sigal

Një person i pajetë ka mbërritur mbrëmjen e sotme në spitalin e Kurbinit.

Fillimisht u raportua për të shtëna me armë, por burime bëjnë me dije se shtetasi Ylli Tafili, 51 vjeç u dërgua nga familjarët me urgjencë në spital, pasi kishte rënë aksidentalisht në një kanal vaditës në zonë dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Kurbin/Informacion paraprak

Në fshatin Shullaz, Kurbin, shtetasi Y. T., 51 vjeç, dyshohet se ka rënë në një kanal kullues pranë banesës së tij, prej ku është nxjerrë nga të afërmit dhe është dërguar në banesë për t’iu dhënë ndihma e parë.

Në banesë, ai nuk është ndjerë mirë dhe është dërguar në Spitalin Rajonal Kurbin për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por ka humbur jetën. Paraprakisht, dyshohet se shtetasi Y. T. ka humbur jetën si pasojë e infarktit. Trupi i 51-vjeçarit do të dërgohet në morgun e IML Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar për t’i marrë në pyetje, të gjithë personat që kanë qenë prezentë në momentin që ka rënë në kanal 51-vjeçari.