U përplasën me armë zjarri në Pedonalen e Shkodrës për konfliktet në Gjermani, gjykata merr vendim për katër të arrestuarit (Emrat)

827
Sigal

Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg katër personat e arrestuar për të shtënat me armë në zonën e pedonales së qytetit ku mbeti e plagosur në këmbë një 35 vjeçare, kalimtare e rastit.

Liridon Lushi, Arxhend Rexha, Ension Buraku dhe Riad Xheladini janë lënë në qeli nga gjykata e qytetit verior, ndërsa avokatët mbrojtës kanë kërkuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Avokati mbrojtës i Ension Burakut, tha se klienti i tij nuk ka pasur asnjë lloj qëllimi për shkëmbim zjarri, ndërsa kishte vendosur për t’u sqaruar. Avokati pranon se klienti i tij ka pasur armë zjarri me vete dhe se kishte pasur konflikte të mëparshme.

NGJARJA

Katër të rinj kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit në qytetin e Shkodrës me pistoleta, duke lënë të plagosur një kalimtare të rastit, shtetasen Liljana Jeremia, 35 vjeçe, nga Njësia Rrethina në Shkodër.

Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së mërkurës, te pedonalja e qytetit të Shkodrës, ndërsa 35-vjeçarja ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka arrestuar tre autorët e dyshuar, shtetasit Arxhend Rexha, 31 vjeç, nga Durrësi; Riad Xheladini, 22 vjeç, nga Maqedonia e Veriut; Ension Buraku, 28 vjeç, nga Durrësi, të cilët dyshohen për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”. Këta tre shtetas dyshohet se i kanë bërë atentat shtetasit Mirsad Meta, nga Njësia Rrethina Shkodër.

Kjo ngjarje dyshohet se ka ardhur pas prishjes për pazare droge dhe konflikteve të mëparshme.

KONFLIKTI NË GJERMANI

Shtetasit e mësipërm mësohet se janë përfshirë në një konflikt me armë në Gjermani para disa kohësh, ndërsa shtetasi Mirsad Meta dyshohet se në 25 janar i ka vendosur tritol te banesa, shtetasit Ension Buraku në Durrës. Ky i fundit është vëllai i polices Ornela Buraku në Durrës.

Tre shtetasit e dyshuar si autorë kanë ardhur nga një rrugicë dytësore dhe papritur, nga një largësi prej rreth 20 metrash, menjëherë kanë qëlluar në drejtim të Mirsad Metës. Ky i fundit ndodhej para makinës së tij dhe sapo ka parë tre atentatorët, iu është kundërpërgjigjur edhe ai duke qenë se mbante pistoletë me vete. Nga shkëmbimi i zjarrit nuk është plagosur asnjë prej tyre, por një plumb ka kapur në mënyrë rastësore vetëm këmbësoren Liljana Jeremia. 35- vjeçarja ishte bashkë me motrën e saj dhe dy baxhanakët. Ata po vinin nga Spitali Rajonal i Shkodrës për të pirë një kafe, sepse kanë të shtruar njëra fëmijën dhe tjetra vjehrrën, por shtetasja Liljana Jeremia ka përfunduar vetë në spital, si shkak i plumbit që mori në këmbë. Ndërkohë, një nga plumbat ka përshkuar pantallonat e njërit prej personave të tjerë që ishte me 35-vjeçaren, por pa e prekur në trup.

Theksojmë që në këtë rast, banditët nuk e kanë zbatuar udhëzimin e dhënë nga Kryeministri Rama:

“Ata që bëjnë të fortin nëpër qytete, hëngshin kokat e njëri-tjetrit”. Në atë orë kur ndodhi ngjarja, rreth orës 22:40, në rrugë nuk kishte lëvizje, as në qendër të qytetit ku pati shkëmbim zjarri. Janë rreth 10 gëzhoja plumbash pistolete të sekuestruara nga Policia. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe efektivët kanë arritur që të identifikojnë autorët dhe kanë arritur që të kapin 3 prej tyre në aksin Tiranë-Durrës. Në vendngjarje plumbat kanë goditur edhe xhamin e parë dhe të pasmë të një makine, atë të shtetasit Mirsad Meta, i cili është i shpallur në kërkim për përplasjen me armë, ndërsa brenda mjetit ka lënë portofolin dhe disa sende të tjera.