U kapën me kallashnikovë, pistoleta dhe municione, arrestohen dy të rinj në Tiranë

54
Sigal

Finalizohet operacioni policor i koduar “Flagranca”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.

Operacioni, i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe Komisariatin e Policisë Nr. 4.

Vihen në pranga dy shtetas, procedohet penalisht një tjetër.

Sekuestrohen dy armë zjarri pistoleta, një armë zjarri kallashnikov, krehra, municion luftarak dhe një palë dylbi.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunom me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Flagranca”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– E. M., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

– E. Sh., 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi E. H., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Shërbimet e policisë, në afërsi të TEG-ut, kanë ndaluar mjetin me drejtues shtetasin E. H., dhe me pasagjer shtetasit E. M dhe E. Sh.

Gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. Sh., nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krëhër dhe municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa, ndërsa drejtuesi i mjetit, shtetasi E. H., nuk ka kallëzuar krimin.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. M., nga shërbimet e Policisë, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, një armë zjarri kallashnikov, krëhra me municion luftarak dhe një palë dylbi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.