U infektua duke shërbyer në spitalin italian, infermieri shqiptar rrëfen tmerrin: Koronavirusi krijon një gjendje që askush s’mund ta mendojë!

203

Infermieri shqiptar që shërben në Itali, Dritan Kreci, i cili është infektuar me koronavirus, tregoi në një lidhje me “Skype” për emisionin “Me Zemër të Hapur”,  vështirësitë e përballjes me virusin.

Infermieri Kreci tha se tani është mirë, krahasuar me atë çfarë ka kaluar, duke thënë se virusi krijon një gjendje që askush nuk mund ta mendojë.

“Në këto momente jam shumë mirë, duke krahasuar me çfarë kalova, se vetë virusi të krijon një gjendje që askush nuk mund ta mendojë. Unë punova në repart, kur u kthye në COVID. Kishim pacientë që vinin pa marrë përgjigjen akoma dhe pastaj dilnin pozitivë”, tha infermieri Kreci.

Pjesë nga intervista:

Ke mbaruar më 2002 si infermier i përgjithshëm në Tiranë, më 2003 ke kaluar në Itali. Më flit për përvojën tënde në Shqipëri?

Jemi një familje e madhe, me nëntë fëmijë, një motër dhe tetë vëllezër.

Si arrite të shkollohesh?

Vij nga një familje intelektualësh, babai ishte arsimtarë dhe na dha të drejtën të gjithëve të shkollohemi. Kam edhe një vëlla që është mjek. Mua më pëlqente të isha në shërbim të njerëzve, më pëlqente mjekësia, por përfundova infermier.

Pse e le Shqipërinë?

Unë isha ndër më të mirët që kishte Shqipëria në reanimacion, por ishte vetëm gjendja ekonomike që ika. Nuk ishte zgjedhja ime, por një shok imi më prezantoi dokumentet dhe fati deshi që të më dilnin brenda dy viteve.

Në Itali ishte pak frika, edhe pse vija me kontratë pune, me shtëpi, me çdo gjë të parapërgatitur.