U harxhuan 2.8 mld lekë për uniformat, ankohen policët: Këmisha nuk hekuroset, bluzave u dalin stemat! SHÇBA të hetojë

181
Sigal

Veshja e përditshme në punë do të vijojë të jetë një makth për punonjësit e Policisë së Shtetit megjithëse për to u shpenzuan 2.8 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Lëvrimi i tenderit për uniformat e Policisë së Shtetit ku pritej se situata do të ndryshonte, por kjo nuk ndodhi.

Kur ka kaluar vetëm disa javë që uniforma e re është marrë në dorëzim, policët kanë konstatuar probleme, të cilat ua vështirësojnë shërbimin. Në një intervistë për News 24 kreu i sindikatës së policëve Sadedin Fishta thotë se specifikimet teknike të kësaj uniforme nuk përshtaten me vendin tonë.

Kreu i Sindikatës i bën apel Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat të marrë në konsideratë ankesat e punonjësve të policisë dhe të nisë hetimet. Ndër të tjera Fishta kërkon të verifikohen specifikimet teknike që janë vendosur nga komisioni i ngritur në policinë e shtetit po ashtu edhe nga komisioni që ka bërë kolaudimin e uniformës dhe e ka marrë atë në dorëzim për të parë nëse kompania prodhuese ka zbatuar me përpikëri kriteret e kërkuara.