U gjet e vdekur në një kanal në Kuçovë, gruaja dyshohet se u vra nga fqinji i saj

177
Sigal

Gruaja e vdekur, e cila u gjet e hedhur në një kanal, gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe, dyshohet se është vrarë nga një komshi i saj, banor i fshatit Kozare.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen “Havaleas” të fshatit Kozare, në qytetin e Kuçovës.

Familjarët e saj e kishin kërkuar prej disa orësh dhe pasi nuk po e gjenin kishin njoftuar për ndihmë policinë.

Vetëm pas rreth një orë kërkimesh, gruaja 63-vjeçe u gjet në një kanal, rreth një kilometër larg banesës saj.

Në momentin e gjetjes së trupit të pajetë, gruaja ishte e zhveshur nga mesi e poshtë dhe e mbuluar me gjethe brenda në kanal.

Viktima Fatime Suli u transportuar gjatë natës drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, rezultoi se shkaku i vdekjes së 63-vjeçares ishte asfiksimi nga mbytja me duar.

Konfirmimi i vrasjes së gruas vuri në lëvizje policinë e Beratit, për të identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Pas pyetjes së dëshmitarëve në vendngjarje si dhe vëzhgimit të disa kamerave në bizneset përreth, u bë i mundur arrestimi i autorit të dyshuar të vrasjes, 58-vjeçarit F. Marra, që rezulton të jetë komshiu i viktimës.

I arrestuari është duke dhënë dëshminë e tij në polici, ndërkohë dyshohet se vrasja ka ndodhur pas një konflikti për disa para borxh, që komshiu i kishte familjes së gruas.