U futej njerëzve në shtëpi, arrestohet 37-vjeçari, policia jep detajet për ngjarjet e ndodhura në Tiranë prej muajsh

387
Sigal

Policia e Tiranës ka arrestuar një hajdut që kryente vjedhje në banesat e kryeqytetit, veprimtari kriminale të cilën kishte muaj që e kryente.

Në pranga ka rënë 37-vjeçari i cili ishte i dënuar më parë.

“Zbardhen dhe dokumentohen dhe tre raste të tjera të vjedhjes në banesa të kryera gjatë vitit 2019 po nga ky shtetas.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë si dhe për kapjen e vënien para drejtësisë të autorëve, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë nr 1, si rezultat i punës hetimore të kryer dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e personit që dyshohej si autor i vjedhjes së banesave, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit B. Ç., 37 vjeç, banues në Babrru/Tiranë . I dënuar më parë për “ Vjedhje”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është autor edhe i tre rasteve të tjera të vjedhjeve të banesave të ndodhura në juridiksionin e Komisariatit të Policisë Nr.1, gjatë vitit 2019.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një çantë shpine me disa prej sende të vjedhura.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vjedhja”.