“U futa gabimisht në ujërat shqiptare”, dënohet skafisti italian pjesë e bandës së drogës, zbardhet dosja

214
Sigal

Një nga personat e dënuar dje me burg nga Gjykata Italiane në kuadër të një grupi shqiptaro-italian që trafikonte drogë me gomone, rezulton se ishte kapur më parë në Sarandë ku kishte hyre me gomone në mes të ditës.

Antonio Summa, 29 vjeç rezulton skafist i bandës së drogës, të cilës iu sekuestruan rreth 4 ton marijuanë. Gjykata Italiane dënoi dje me 70 vite burg në total 10 trafikantët Alban Limaj, Teodoro Vindice, Alvaro Aliaj, Erfan Bajrusi, Mario Epicoco, Geraldo Ismailaj, Claudio Rillo, Vitantonio Roma, Antonio Summa dhe Cosimo Conte. Gjyqtarja Laura Liguori i denoi ata për 3 ton 750 kg marijuanë të kapur në kuadër të operacionit “San Silvestro”.

“BalkanWeb” zbardh të plotë dosjen hetimore të ngjarjes së 3 viteve më parë kur ai për Policinë e Sarandës tha se kishte ngatërruar rrugën e ishte futur gabimisht në ujërat shqiptare. Prokuroria e la të lire pasi nuk gjeti gjë në gomone, përpos dyshimeve për aktivitet të paligjshëm, por siç rezulton, qëllimet e tij ishin të tjera. Për policinë e Sarandës ai atëherë përmendi edhe një emër, “Cosimo”, që nuk dihet nëse është i dënuari tjetër i djeshëm Cosimo Conte.

Në këto rrethana është realizuar shoqërimi i mjetit lundrues në territorin ujor të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, si dhe drejtuesit të tij.

Nga këqyrja e mjetit lundrues është konstatuar se ai ishte i pajisur me dy motorë, secili prej tyre i markës “Yamaha”, më nga 115 kuaj fuqi secili, dhe në depozitat e karburantit gjendej një sasi karburanti e llojit benzinë prej rreth 200 litra.

Nga kontrolli i ushtruar mbi mjetin lundrues nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Madje as dokumentacioni identifikues, regjistrues apo i pronësisë së mjetit lundrues.

Nga e ana e drejtuesit të mjetit lundrues janë paraqitur vetëm dokumentet “librezë”, që i përkisnin motorëve të instaluar në mjetin lundrues, nga të cilët rezulton se motorët ishin të matrikulluar respektivisht me matrikull “312849” dhe nr.848-02, si dhe matrikull “312840” dhe nr. 847-02.

Nga ana e tij drejtuesi i mjetit lundrues dispononte një aparat telefonik të markës “Samsung – J3”, në të cilin nuk gjendej asnjë kartë telefonike, si dhe karikues telefoni me dy fisha karikimi.

Nga këqyrja e telefonit, pas hapjes së tij, është fiksuar realizimi i komunikimeve telefonike me dy numra telefonikë të kompanive celulare që operojnë në territorin shqiptar, dhe konkretisht “0688764633” dhe “0683309197”.

Në kontakt me Oficerin e Policisë Gjyqësore, drejtuesi i mjetit lundrues, në mungesë të dokumentacionit identifikues, është vetëdeklaruar si shtetas italian i datëlindjes 13.06.1992.

Në deklarimet e tij, të marra me cilësinë e shtetasit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi italian ka deklaruar se mjetin lundrues ja kishte marrë një miku të tij, edhe ky shtetas italian, të cilin e identifikon vetëm me emrin “Cosimo”, dhe se ishte nisur nga porti “Santa Maria de Leuca”, i gjendur në zonën e Leçes, Itali, me qëllim realizimin e vizitës së brigjeve detare greke, por për shkak të gabimit në orientim është gjendur në ujërat territoriale shqiptare.

Nga sa më sipër rezultojnë dyshime të bazuara se ndodhemi dhe duhet të kryhen veprime hetimore për veprat penale:

· “kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, parashikuar nga neni 297 i Kodit Penal;

· “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal;

dhe se autor i tyre është shtetasi italian.

***

Edhe gjykata nga ana e saj çmon se kërkesa për caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nen hetim, masat shtrënguese – “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, “-Detyrimi për t`u paraqitur në policinë gjyqësore”, -“Ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar”, parashikuar nga nenet 233,234 dhe 235 të kodit te procedurës penale, është e drejtë dhe bazuar në ligj dh e në prova.

U shpall me datë 22.05.2018 ora 10.12.