U festua 100-vjetori i shkollës së Kuçit

625
Sigal

Gazeta Telegraf/

Këto ditë në Kuç
të Kurveleshit u mblodhën breza të mësuesve dhe të nxënësve për të festuar 100-vjetorin
e shkollës shqipe të fshatit. Një ceremoni mbresëlënëse e organizuar nga një
kolektiv i vogël. Dukej se edhe natyra merrte pjesë në gëzimin e pjesëmarrësve.
Duke sjellë kujtimet, ata bënin biografinë e rrugës njëshekullore të kësaj
shkolle. Nga mjediset e godinës dykatëshe plot dritë e zbukuruar hijshëm
sillnin në kujtesë shkollën-budrum të viteve’30, ndërtuar në një pjesë të
xhamisë. Sollën në kujtesë mësues veteranë që në kushte të vështira përpiqeshin
t’u mësonin nxënësve “të vërtetën e ngjarjeve që ndodhin në vend, se ata janë e
ardhmja e kombit” si shprehej dikur Mustafa Luçi-Mësues i Merituar. Kujtuan plot
nderim Thoma Papadhopullin-Mësues i Merituar- që, në gjithë karrierën e tij
mbresat më të fuqishme i kishte nga Kuçi, ku punoi nëntë vjet-1934-1943.
Mësueset veterane Hatikë Gjokutaj e Emire Alikaj kujtojnë si thyen normat e
kanunit dhe shkuan në shkolla për mësues jashtë fshatit. Ish-nxënës, që u
shkolluan në shkolla të larta kujtojnë se si Myzafer Korkuti, Akademik, shumë
koncepte ua kishte futur në mend që atëherë. Të tjerë flasin për agronomin e
praktikave bujqësore, Birçe Dena, i cili me aftësi të veçanta komunikuese
përpiqej që të rinjtë të lidhnin njohuritë teorike me praktikën konkrete.
Ish-drejtori Ali Bajrami kishte dëshirë të ndalej tek cilësia e punës dhe
ndjente kënaqësi që në ballafaqime me shkollat e larta nuk kishte asnjë nxënës
të kthyer. E kështu, kujtim pas kujtimi, dukej sikur plotësoheshin të gjitha
hallkat e zinxhirit të historisë së shkollës dhe me krenari vlerësojnë jo pak
arritje: Këtu morën mësimet e para edhe 33 djem që vitet e LANÇ dhanë jetën për
liri, midis tyre 4 Heronj të Popullit. Këtu morën shkëndijat e para për t’iu
futur shkencës 15 djem e vajza që vijuan dhe morën grada e tituj shkencorë.
Këtu nisën ëndrrat gjithë ata të rinj e të reja që u bënë artistë, poetë e
shkrimtarë, mësues e agronomë, veterinerë, mjekë, inxhinierë etj.  Nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe shtetarë
e pushtetarë. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro e vlerësoi këtë nismë
dhe shpërndau edhe disa certifikata vlerësuese. Zv. ministrja e Arsimit, Nora
Malaj, i përgëzoi për arritjet dhe vuri theksin edhe tek detyrat për të vënë në
jetë reformën arsimore. Deputeti Fatmir Toçi, i cili ka qenë i lidhur
vazhdimisht me problemet e shkollës, shprehu edhe kënaqësinë që ai kolektiv i
vogël kishte bërë punë të vlerësuar. Drejtorja e shkollës Muzikë Balilaj
falënderoi gjithë pjesëmarrësit dhe premtoi, se kjo shkollë që mban emrin e
Memo Metos-Hero i Popullit, ish nxënës i kësaj shkolle, do ta mbajnë atë gjithnjë
lart e të papërlyer. Ai kolektiv i vogël, mësues e nxënës organizuan një
koncert-homazh mbresëlënës me këngë, valle e recitime. Përshëndetën festën edhe
grupi polifonik i Himarës me zërin brilant të Katina Belerit, si dhe
përfaqësues nga shkollat përreth. Një përvjetor i organizuar bukur për një
ngjarje me rëndësi në historinë e fshatit.    

Veledin Abazi