U ekzekutua mbrëmë në Vlorë, Delon Troqe do të përcillet sot në banesën e fundit

468
Sigal

38-vjeçari Delon Troqe që u ekzekutua mbrëmë me armë zjarri në një atentat përpara servisit të tij në Vlorë do të përcillet ditën e sotme për në banesën e fundit.

Në orën 13:00 familja, miqtë dhe të afërmit do t’i japin lamtumirën e fundit vlonjatit, që kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Spanja dhe mbrëmë u vra me breshëri kallashnikovi.

Troqe i dënuar disa vite më parë për drogë dhe që gjatë muajve të verës punonte me skaf me turistët në Jugun e vendit ishte baba i një djali.

38-vjeçari u qëllua me kallashnikov mbi 15 herë rreth orës 21:40 në zonën e Skelës pranë pallatit të sportit, ndërsa disa minuta më pas u konstatua në flakë një makinë në Sherisht, që dyshohet se u përket autorëve të krimit, pasi brenda u gjetën dy kallashnikovë.

Viktima e atentatit të mbrëmjes së djeshme është kushëriri i Ervis Troqes, i cili u zhduk në vitin 2018 në mes të ditës në Vlorë dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.