U arrestua për shpërdorim me detyrën, caktohet seanca në Apel për Thoma Gëllçin

194
Sigal

Është caktuar 29 tetori për seancën në Apel për ish-Kreun e RTSH, Thoma Gëllçi, i arrestuar për abuzim me detyrën.

Thoma Gëllci dhe 3 punonjë të RTSH u arrestuan me urdhër të SPAK në datë 8 tetor, pas zbulimit të abuzimit me një tender me vlerë rreth 1 miliardë dollarë.

Ata u arrestuan pas një hetimi të nisur në 2020 për një tender të zhvilluar në vitin 2018 me vlerë 86. 908 550, 00 lekë (rreth një milion dollarë) për blerjen e pajisjeve teknike për kanalin “RTSH Agro”. Tenderi ishte anuluar disa herë.

Ish-drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi ka kërkuar lirimin në gjykatën e Apelit të GJKKO. Ka qenë avokati i tij, Dorian Matlia i cili ka pretenduar se klienti i tij nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit.

Gëllçi pretendon se qëndrimi në qeli i rrezikon jetën, pasi se vuan nga sëmundje që kërkojnë trajtim të veçantë dhe që nuk ofrohen në qelitë e paraburgimit. Ai ka paraqitur edhe një sërë raportesh mjekësore për të cilat thotë se provojnë sëmundjet që ai ka.

Por kush është Thoma Gëllçi

Ai fillimisht ka punuar si gazetar në Revistën humoristike “Hosteni” dhe më pas në gazetën “Zëri i Populli”,  të cilën e drejtoi për disa vjet si kryeredaktor. Ai gjithashtu është themelues i gazetës “24 orë”.

Po ashtu ai ka punuar në struktura të larta të qeverisë Meta në detyrën e drejtorit të Departamentit të Informacionit. Për të ardhur në 6 maj të 2016 kur u emërua drejtor i RTSH-së, post që e mbajti deri më 21 maj të këtij viti. Gëllçi u shkarkua nga Këshilli Drejtues i RTSH-së.

“Duke patur parasysh se mandati i drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Thoma Gëllçi, ka përfunduar më datë 6/05/2021, Këshilli Drejtues i RTSh-së konstaton se çdo vendim i ndërmarrë nga drejtori i Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit të tij përbën shkelje pasi është në tejkalim të kompetencave të tij dhe për të cilat do të mbaje përgjegjësi ligjore.

Për sa më sipër dhe në zbatim të nenit 105 pika 2  të ligjit 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në RSH”, Këshilli Drejtues i RTSH-së më votën pro të 8 anëtarëve të pranishëm dhe dy votat kundër të dy anëtarëve të tjerë vendosi që drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllçi të lirohet nga detyra dhe t’ia dorëzojë detyrën zv.drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, z. Martin Leka”, thuhej në kronikën e RTSH.