Tronditet qyteti, grushte dhe shkelma nga policët e dehur

1311
Një ngjarje e pazakontë e cila njollos efektivat e policisë, ka ndodhur në Elbasan. Një episod nga ata të turpshmit që ndodhin rëndom pothuajse çdo ditë në rrugët e vendit mes uniformave të shtetit dhe qytetarëve, por kësaj here ka ndodhur mes tyre dhe një kolegu të një firme të policisë private. Fotaq Kyçyku prej disa vitesh ka punuar si përgjegjës shërbimi tek policia private “Hoxha Security” dhe ka një kontribut të gjatë profesional. Por pikërisht në një nga ditët e zakonshme të punës tij, ai merr një urdhër nga eprori, për tu nisur me shërbim drejt Librazhdit me mjetin e punës. Duke folur për “Telegraf” Fotaq Kyçyku tha se “ishte një ditë e zakonshme pune dhe zakonisht duke qenë përgjegjës shërbimi dhe me eksperiencë më ngrakoheshin detyra të veçanta nga shefat e mi. Atë ditë më thanë se duhej të niseshim tek disa pika të rrethit të Librazhdit unë, dhe zv/shefi Lulëzim Hoxha si dhe një kolegu ynë. Bëhemi gati dhe nisemi rreth ores 15.30 me dy makinat tona, unë ecja përpara dhe në një distancë prej 50 metrash pas meje vinte makina e dytë. Pa kaluar mirë Elbasanin dhe pikërisht tek vendi quajtur “rrepet e Labinotit” ndalem me tabelë nga dy policë të Qarkullimit Rrugor të Elbasanit dhe përkatësisht nga Altin Brahja dhe Qemal Muça, duke ma bërë me shenja të çuditshme të hap krahun. Ndalem dhe nuk zbres nga makina, pasi më thotë polici i parë se “mos dil nga mjeti, nxirr dokumentat”. 
Policët e Qarkullimit qelbeshin alkool
Në moment i jap dokumentat dhe shikoj dhe e ndjej se qelbej era alkool, por pavarësisht kësaj i dorëzoj gjithë dokumentat që disponoja personale dhe të punës. Pas afro 4-5 minutash arrin makina e dytë ku ishte zv./shefi im Lulëzim Hoxha dhe kolegu ynë, të cilët zbresin dhe pyesin policin “si është puna”. Asnjë fjalë, asnjë reagim nga unë dhe fillimisht edhe nga polici i dehur. Ndërkohë që dy policët bënin sikur shikonin dokumentat dhe shtriheshin mbi kofkat e makinave, vendosa t’i them të parit policit Altin Brahja se “të lutem në rast se konstaton parregullsi më ndëshko sipas ligjit dhe të ikim se jemi nisur me shërbim, pastaj jemi pothuajse kolegët tuaj”. Kaq fola dhe si me magji, drejt meje vjen polici Brahja dhe me sa fuqi kishte më gjuan fillimisht me tabelën e qarkullimit që mbante në dorë, e cila thyhet mbi kokën time, duke më thënë “unë të …. robt. Nuk u ndal me aq dhe nisi të më godiste me grusht në nofullën e krahut të djathtë dhe në moment më ranë syzet dhe po humbisja ekuilibrin, duke u detyruar të përkulem disi për ti gjetur. Këtu ishte momenti kur ndërhyri zv/shefi im zoti Hoxha dhe kolegu im, ndërkohë kolegu policit të Qarkullimit Rrugor Qemal Muça, nxorri celularin e tij dhe nisi të bënte foto dhe të njoftonte në radio sallën operative”. 
Rrëfimi i Fotaq Kyçykut
Fotaq Kyçyku, 65 vjeç përlotet tek tregonte skenat të cilat e kanë shoqëruar prej disa muajsh dhe shqetësuar atë familiarisht. Duke vazhduar rrëfimin e tij ai tha se “breda 10 minutash mbërrijnë dy furgona policie dhe dalin prej andej nja 15 policë, të veshur me antiplumb dhe më mbërthejnë mua, duke më kërkuar armën e shërbimit dhe të mos flisja asnjë fjalë. Ata e panë me sytë e tyre si isha katandisur në ato moment, por duke shkelur ligjet, normat e mirësjelljes dhe gjithçka njerëzore, më vunë prangat dhe më nisën drejt Komisariatit. Pas meje erdhi edhe zv.shefi im Hoxha kurse kolegu ynë u nis drejt Librazhdit. Sapo hyra në Komisariat u përballa me persona që na lidhte puna e përditshme, të cilët fillimisht u habitën, pastaj nisën të sillen me mua sikur të isha rrugaç. Polici i krimeve A. Kupi më mori në pyetje dhe duke shkelur normat dhe rregullat, të cilat u pasqyruan edhe në proces-verbalin e mbajtur, në kundërshtim me ligjet e shtetit, arriti dhe më deklaroi se “ty të njoh, por ata i kam kolegë, ndaj ti do të ndëshkohesh, ata do t’i mbroj, nuk jemi ke komisioni votimeve këtu apo jo”. Nuk e kuptova ku donte të dilte ai oficer policie, që në zyrat e shtetit dhe më keq akoma më përmendi komisionin e votimit. Përfundimisht dënohem nga gjykata me 30 ditë burg, të cilin më dërgojnë ta bëj tek godina e re e cila është ndërtuar në ish-Kombinatin Metalurgjik. Brënda 30 ditëve të burgut të paligjshëm, jam shtruar me urgjencë në spital pothuajse 14 herë, sepse kisha goditje në zemër, kurse gruaja ime e sëmurë u përkeqësua. Në sallën e gjyqit më nxorrën jashtë edhe avokatin tim Myftar Rusta dhe nuk më lejuan të mbrohem nga ai, kurse dy policët, agresorë nuk u thirrën fare. Kjo është policia dhe drejtësia jonë”.
Pas burgosjes nisën peripecitë, loja e policisë me armën e shërbimit
Fotaq Kyçyku tregon se “pas mbarimit të afatit 30 ditor dola nga burgu dhe mbeta mes katër rrugëve, kurse edhe premtimet e ish-shefave të mi, se do të zgjidhim gjithçka sipas ligjit dhe do të dëmshpërblehesh, ishin fjalë boshe dhe mashtrime. Kërkova të njihesha me dosjen time penale, dhe konstatova se mungonte në proces-verbalin e mbajtur arma ime, pistoleta. Më kishin fshehur pistoletën në polici, nuk kishin shënuar fare në proces-verbalin e sendeve personale, se unë kisha armën me vete, kjo ishte fatale për mua. Po mendoja se me armën time mund të bëheshin vrasje dhe krime të tjera, unë figuroja si person që nuk kisha dorëzuar armën e shërbimit. Me urgjencë vajta dhe takova Gëzim Brahon dhe Kujtim Muçën në Drejtorinë e Policisë të Elbasanit dhe kërkova nga ata të dija se ku ndodhej arma ime, pse nuk ishte regjistruar ditën e ndalimit tim, si sendi im personal, pse nuk ndodhej në proces-verbalin e mbajtur nga polici që më mori në pyetje A. Kupi, dhe pas shumë peripecive, debateve dhe paralajmërimeve nga ana ime, dy zyrtarët e policisë më treguan se “e kemi ne armën tënde, mos ki merak”. Por sikur të mos mjaftonte kjo ngjarje e turpshme, kjo ndodhi me personazhe policët e shtetit sikur të ishin kaubojsa, kusuret e mia vazhduan edhe me punëdhënësin tim. Edhe ai që më premtoi “vendosjen e dinjitetim tim në vend” më flaku librezën, dhe më kishte shënuar se “nuk je paraqitur në detyrë”, kur unë u dhunova dhe bëra 30 ditë burg për të qenë korrekt me detyrën time si përgjegjës shërbimi në policinë e tij private. Trokitjet e mia në shumë dyer, e detyruan atë të ndryshonte atë çfarë kishte shkruar në librezën time të punës, por nuk më hoqi tronditjet e mia dhe të familjes, duke më detyruar të mos marr deri sot as asistencën e cila më takon me ligj. 
Kërkesa për Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm
Duke iu drejtuar “Telegrafit”, e vetmja media e shkruar e cila pasqyron me realitet gjithçka që ndodh me njerëzit në këtë vend, kërkoj nga Ministria e Brendshme dhe kryeministri Rama të ndëshkojnë kaubojsat e policisë dhe jo t;i transferojnë ata në rrethet e tjera, kjo pasi edhe kur kam telefonuar z. Tahiri dhe i kam sqaruar ngjarjen përgjigja e tij ishte se “nuk merrem unë me këto ngjarje, drejtohu gjykatës”. Unë nuk kërkova drejtësi nga ministri, por ai të vendosë para ligjit “çunat” e tij, ata që u thyejnë tabelat në kokë hallexhinjve (dhe puthen me rrugaçët) dhe pastaj u mbushin dosjet me të pavërteta dhe i ngjeshin burgjeve”. Ngjarja e shtetasit Fotaq Kyçyku tregon edhe njëherë qartazi atë që ndodh çdo ditë në rrugët e vendit mes qytetarëve të thjeshtë hallexhinj dhe uniformave të shtetit, tregon realitetin e turpshëm që ka mbërthyer policinë dhe strukturat e saj dhe të ardhmen e zymtë për të cilën qytetarët e këtij vendi kanë humbur besimin. 
Sigal