Tritol në makinë! Skanohen dosjet e prokurorit Kuliçi, ku po përqendrohen hetimet

392

Ashtu si sulmet e mëparshme ndaj njerëzve të drejtësisë, që kanë mbetur për vite me radhë pa autor, duket se edhe shpërthimi i eksplozivit në makinën e prokurorit Albert Kuliçi do të ketë të njëjtin fat.

Edhe pasi kanë kaluar më shumë se 40 orë nga ngjarja, Policia nuk ka identifikuar ende asnjë të dyshuar, madje edhe personat që janë shoqëruar, kanë qenë dëshmitarë apo të njohur të Kuliçit. Kamera e sigurisë që fiksoi një person të dyshuar si autor nuk ka fokusuar asnjë detaj, që mund të shërbejë për identifikimin e tij. Ndërsa ashtu si në momentin kur kishin kaluar vetëm pak orë nga ngjarja, edhe dje burimet konfirmuan se hetimet janë përqendruar te detyra e prokurorit Kuliçi.

Sipas tyre nuk ka asnjë dyshim se ngjarja lidhet me detyrën. Janë përjashtuar konfliktet apo probleme të tjera që ai mund të ketë pasur, pasi nuk janë konstatuar as nga veprimet paraprake hetimore, por janë mohuar edhe nga vetë prokurori.

HETIMET

Burime nga Policia e Vlorës thanë se hetimet janë përqendruar te dosjet që prokurori Albert Kuliçi drejton në hetime. Prej vitesh ai punon në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ndërsa dosjet që ka kaluar në duar kanë qenë mjaft delikate. Kuliçi është zëvendësdrejtor i Prokurorisë dhe drejtues i sektorit TaskForcë.

Albert Kuliçi, me origjinë nga Tropoja, ka pasur në dorë vitet e fundit çështjet më të bujshme në Vlorë, duke filluar nga skandali i tjetërsimit të pronave në Karaburun dhe Zvërnec, ku i përfshirë ishte edhe biznesmeni Pëllumb Petritaj dhe 4 zyrtarë që u dënuan me burg, deri te koncesioni i parkingjeve në qytetin bregdetar, i cili u anulua pasi u konstatuan një seri shkeljesh.

Kuliçi ka hetuar gjithashtu edhe një aferë në “Albpetrol” dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros për një pallat 11-katësh në Vlorë, për të cilin u akuzua për shpërdorim detyre ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika. Megjithatë, duket se vëmendja e grupit hetimor është përqendruar te dosjet e pronave në bregdetin e Vlorës. Kjo, edhe për shkak se hetimi i këtyre çështjeve ka prekur interesa të mëdha dhe në këtë formë autorët kanë dashur ta paralajmërojnë prokurorin, duke i vendosur eksploziv në makinë.

SHPERTHIMI

Shpërthimi me lëndë plasëse, e dyshuar tritol, ka ndodhur orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë. Mjeti tip “Volksëagen”, në të cilën ishte vendosur eksplozivi, është në pronësi të prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçi. Sipas informacioneve të dhëna nga Policia e Vlorës, tritoli ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës.

Nga shpërthimi, makina është shkatërruar plotësisht në pjesën e përparme. Në lagjen ku ndodhi ngjarja, shpërthimi tronditi të gjithë banorët. Aty shkuan oficerët e grupit hetimor nga Policia dhe Prokuroria, të cilët bënë veprimet e para hetimore dhe mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes. Si pasojë e shpërthimit, fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale në automjetin e prokurorit, ndërsa ky i fundit ka qëndruar gjatë gjithë kohës në vendin e ngjarjes.

SKËNDER HALUCI: SHKAK, DETYRA

Lidhur me ngjarjen, kreu i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci, është shprehur dy ditë më parë se shkak për këtë, është bërë detyra e prokurorit. Ai e ka cilësuar këtë si një akt burracakësh, për shkak të profesionit si prokuror të Kuliçit, ndërkohë vetë deklaroi se nuk ndihet i kërcënuar. Ai bëri një apel të fortë për ata që i kanë grabitur pronat, duke i paralajmëruar se “nuk do t’i gëzojnë”.

“Ka lidhje vetëm me ushtrimin e profesionit dhe kjo është një vepër e shëmtuar burracakësh dhe frikacakësh. Por gjyqtarët dhe prokurorët do të përgjigjen në seanca vetëm me vendime publike. Unë vetë nuk ndihem asnjëherë i kërcënuar dhe e bëj detyrën për t’i shërbyer qytetarëve. Kuliçi është një ndër prokurorët më të mirë të Republikës së Shqipërisë, profesionalisht dhe në të gjitha pikëpamjet. Janë mbi 4 milionë euro të sekuestruara nga 6 dhjetori në masat provizore dhe është e vetmja pistë e profesionit dhe ushtrimit të detyrës së prokurorit”, është shprehur Haluci.

1. Tjetërsimi i pronave në zonën e Karaburunit

2. Tjetërsimi i pronave në zonën e Zvërnecit

3. Koncesionin e parkingjeve publike në Vlorë, ku u dyshua si i përfshirë ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika dhe shtatë ish-zyrtarë vendorë

4. Aferat abuzive në kompaninë “Albpetrol”

5. Pastrimin e produkteve të veprës penale, që solli sekuestrimin e një pallati 11-katësh në Vlorë

6. Pastrimin e produkteve të veprës penale, që solli sekuestrimin e mbi 3 milionë eurove në Vlorë.