Sigal

“Goditje fatale për Shëndetësinë, abuzimi deri në 300 milion $”

Goditje fatale për Sistemin Shëndetësor me reperkusione të thella organizative, funksionale, financiare edhe korruptive. Këshilli i Ministrave do të kalojë një Projekt Vendim për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky është në vazhdim të një Plan Veprimi të Ministrisë së Shëndetsisë e Mbrojtjes Sociale, të pregatitur në fshehtësi nga një “NGO” e që duhet implementuar deri qershor 2019. Çdo gjë po bëhet jashtë çdo transparence dhe konsulte me specialistët, qoftë dhe me institucionet ndërkombëtare të sektorit.

-Krijimi i këtij operatori, që do të administrojë mbi 300 M $ mbyll çdo mundësi për decentralizimin e sistemit tonë shëndetësor.

-Nuk mund të ketë kështu asnjë hap përpara drejt “spitalit ndërmarje”, të cilët futen nën një centralizëm ekstrem.

-Kujdesi parësor centralizohet më tej e i mbyllet çdo hapësirë për të ecur drejt “profesionistit të lirë”.

-Zhduket çdo mundësi për përfshirjen e pushtetit vendor në zhvillimet rajonale të shëndetësisë. Roli i Fondit dhe i gjithë sistemit sigurativ ngel vetëm teorik në mbledhjen e 3,4 %, duke e futur atë në regres të plotë.

-Nuk hapet asnjë perspektive integruese në sistem, të privatit.

-Në fakt edhe roli i vetë Ministrisë së Shëndetësisë zbehet shumë, duke u krijuar mbivendosje e konfuzion kompetencash.

Çdo gjë do të vendoset, fondet do të përdoren, PPP do të lulëzojnë nën vendimet e një të deleguari të Rilindjes. Në fakt ky plan veprimi dhe ky projekt VKM bie ndesh dhe me vete strategjinë afatgjatë të kësaj Ministrie.