Tregu i reklamave në ngërç, furnizonte mediat me rreth 40 milionë euro në vit

542
Sigal

Shpenzimet për reklama janë të parat që ulen në kohë të vështira. Burime nga agjencitë publicitare pohojnë se pjesa më e madhe e kompanive i kanë ndaluar të gjitha fushatat aktuale dhe kanë anuluar ato që ishin në fazë përgatitjeje. Situata është problematike që tani, por, nëse zgjat periudha e karantinimit, do të përkeqësohet më tej në muajt në vijim.

Për momentin vetëm telekomunikacionet, bankat e bizneset farmaceutike dhe produktet ushqimore po vijojnë aktivitetin. Bankat kanë përshtatur fushatat me shërbimet bankare online. Por, operatorët e tregut pohojnë se shumë biznese të tjera po rishikojnë buxhetet. Kur nuk shesin e nuk blihet, shumë kompani kanë pezulluar dhe kontratat e reklamave në media. Mbyllja e emisioneve argëtuese në oraret më të shikuara për shkak të kufizimit të dy personave në studio ka ndikuar negativisht, teksa ato tërhiqnin reklamuesit me tarifat më të shtrenjta (deri në 2100 euro për një spot prej 30 sekondash).

“Për momentin, pasojat janë të paparashikueshme, pasi ne nuk e dimë se sa do të zgjasë izolimi”, thotë Oliver Petrovski drejtor menaxhues i agjencisë publicitare dhe të kreativitetit, “New Moment”.

“Nëse zgjat një muaj ose dy, ne mund të jemi në gjendje ta kalojmë me një krizë të vogël që do të mund të rikuperohej me shpejtësi. Por, nëse zgjat në vjeshtë, ashtu siç thonë disa… kjo do të jetë shkatërruese. Qeveria duhet të mbështesë sektorin e biznesit, në mënyrë të ngjashme me atë që po bën tashmë Danimarka, Franca, Gjermania, sepse shumë industri pothuajse kanë ndaluar së punuari tërësisht. Dhe punonjësit e tyre duhet të marrin paga çdo muaj”.

Petrovksi shton se gjithsesi, “po rishpikim strategji të reja për klientët tanë, në mënyrë që ta përballojmë dhe të dalim të fituar nga kjo situatë. Është një situatë e re, e paparë më parë, ku vëmendja do të jetë te kreativiteti dhe ne kjo gjë na pëlqen”.

 

Tregu i reklamave qarkullon rreth 38-40 milionë euro në vit

Sipas vlerësimeve të mëparshme të “Monitor”, prej disa vitesh, tregu i reklamave në vend vlerësohet i mbërthyer në shifrat e 37-39 milionë euro në vit. Edhe pa ardhur kjo goditje, tregu ishte në stanjacion vitet e fundit për shkak të tkurrjes së buxheteve nga kompanitë e telekomunikacionit, që janë reklamuesit më të mëdhenj në vend dhe moshyrjes së sipërmarrjeve të reja, me buxhete të mëdha publiciteti.

Në tregun total të reklamave, peshën kryesore e zënë televizionet, me rreth 70%, ose rreth 30-31 milionë euro, sipas të dhënave të disponueshme deri në 2018-n. Rreth 70% e reklamës për televizione shkon për dy televizionet kryesore në vend, “Top Channel” dhe “Klan”, të cilat kishin secili të ardhura rreth 11 milionë euro në 2018-n, sipas bilanceve zyrtare.

Shtypi i shkruar ishte me rënie dyshifrore dhe në 2018-n u pa një ngadalësim i reklamave përmes internetit, pasi kompanitë përdorën kanale të tjera për të shpenzuar paratë online. Shtypi i shkruar nuk merr më shumë se 1.5 milionë euro reklama në vit, ndërsa aktualisht ai është i pezulluar për shkak të rrezikut të përhapjes së koronavirusit.

Segmenti i internetit tërheq rreth 2.5 milionë euro, por ai kishte ngadalësuar rritjen vitin e fundit, teksa buxhetet online po kalojnë te personazhet me influencë ose i bëjnë reklamat direkt në “Google” dhe “Facebook”, si një mënyrë më transparente e monitorimit të buxhetit dhe shënjestrimit të audiencës së synuar.
Buxheti për ourdoor është rreth 2.8-2.9 milionë euro dhe për radion.

Telekomunikacionet dhe bankat janë reklamuesit më të mëdhenj në vend. Kompanitë celulare kishin gjithsej një buxhet reklamash prej 2.2 miliardë lekësh në 2017-n (rreth 17 milionë euro), me rënie prej 13% në raport me vitin e mëparshëm. Rënia e buxheteve të telekomunikacioneve është ndier dukshëm në tregun e mediave, pasi ky segment përbën rreth gjysmën e tregut të reklamave në vend. Bankat kanë deklaruar në bilancet e tyre shpenzime marketingu rreth 8 milionë euro në 2017-n, por kanë ardhur në rënie në vitet më pak, për shkak se sistemi ishte i përfshirë në një procedurë shitje-blerje e konsolidimesh.

Një kategori tjetër e rëndësishme reklamuesish është tregtia me pakicë sidomos në televizione, me një buxhet që vlerësohet në rreth 3-4 milionë euro në vit, sipas vlerësimeve nga operatorët e tregut.
Rënia e reklamave, krahas medias, pritet të ndikojë negativisht dhe agjencitë e publicitetit, të cilat menaxhojnë një pjesë të konsiderueshme të buxheteve të reklamuesve.