Tregtarët ilegalë të ujit shqetësojnë banorët e Kamzës

520
Krahas shumë kompanive private të ujit, që punojnë me dokumentacion të rregullt dhe që e kanë si treg të tyre edhe qytetin e Kamzës, nuk mungojnë edhe kompani fantazmë që shfaqen herë pas here dhe që u i shpëtojnë kontrollit të organeve përgjegjëse. Kështu uji i pijshëm është kthyer në problem tepër serioz për disa banorë në disa lagje të Kamzës ditën e djeshme. Persona të cilët shesin ujin me makinat e tyre duke mbushur depozita të vogla, pretendojnë se e marrin ujin direkt nga burimi dhe se ai është shumë cilësor, por në fakt për disa nga banorët e një lagjeje nuk ka rezultuar i tillë. Një nga qytetarët me inicialet I.B. tha për Telegraf se “uji që kishte blerë nga një makinë autoboti ishte i ndotur, i mbushur me gurëza të vegjël dhe që dyshohet të jetë mbushur në depozita shtëpie apo në puse private”. Problemi është vënë re pasi personi i cili kishte shitur ujin ishte larguar. Por ky nuk është personi i vetëm që ka gjetur një mënyrë të tillë për furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm, por të paligjshëm. Qytetarët që kanë rënë pre e këtyre mashtruesve të ujit, kanë njoftuar edhe organet përgjegjëse, por duket se ky shqetësim ende s’ka gjetur zgjidhje. Shitësit ambulantë të ujit që arrijnë të manipulojnë qoftë me ambalazhe të falsifikuara, ende nuk kanë marrë goditjen nga inspektoratit kombëtar i Ushqimit si dhe një sërë strukturash të tjera që përgjigjen për jetën e qytetarëve. Vazhdimi i kësaj praktike përbën rrezik shqetësues për jetën e banorëve sepse bëhet fjalë për shëndetin e tyre. Nuk janë të pakta rastet kur personat që furnizohen nga shitës të tillë të ujit e gjejnë veten në pavionet e spitaleve apo në urgjencat e lagjeve. Kështu banorët u bëjnë apel të gjithëve që të kenë më shumë kujdes në blerjen e një produkti të tillë që rrezikon seriozisht jetën dhe shëndetin e tyre. 
Sigal