Tre të rinj rrezikojnë jetën në Sarandë, futen në det me gomone në mot të furishëm, shpëtohen nga roja bregdetare dhe policia kufitare

387
Sigal

Tre të rinj janë shpëtuar nga roja bregdetare dhe Policia Kufitare e Sarandës, pasi rrezikuan të mbyeshin. Mësohet se të rinjtë, pavarësisht motit të keq dhe paralajmërimeve nga autoritetet për të mos u futur në det, kanë dalë të bëjnë një shëtitje në ujë me gomone.

Por, në momentin që donin të ktheheshin në tokë, si pasojë e erës së furishme, kanë hasur vështirësi në ankorimin e gomones.

Kështu, roja bregdetare bashkë me Policinë Kufitare në Sarandë, janë angazhuar në një operacion për të shpëtuar tre të rinjtë. Vetëm pas pesë orësh, u arrit që gomonia të ankorohej në plazhin e Lukovës.

Moti i keq pushtoi vendin ditën e sotme. Mjetet e lundrimit dhe pushuesit u lajmëruan që të mos futeshin në det pasi mund të rrezikojnë jetën.

Mëngjesin e sotëm një grua u mbyt në det. Familja e Robert Ramës kishte dalë në gjirin e Gjipesë për të mbledhur rrjetat e peshikimit, por i zuri stuhia. Për pasojë, gruaja u mbyt, ndërsa vetë Rama, djali i tij dhe një shok, shpëtuan.