Transportonin emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 32-vjeçari në Gjirokastër/ Shpallet në kërkim 1 tjetër

167
Sigal

DVP Gjirokastër

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Transportonin emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 32-vjeçari, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër.

Sekuestrohen dy automjete dhe dy aparate celulare.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. I., 32 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi është kapur në flagrancë, në aksin rrugor Tepelenë-Krahës, duke transportuar me automjetin e tij, 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Gjithashtu, po nga këto struktura u bë shpallja në kërkim e shtetasit L. R., 44 vjeç, banues në Përmet, i cili duke drejtuar automjetin, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë Rrugore, për të ndaluar dhe e ka braktisur mjetin në aksin rural Gjirokastër – “Asim Zeneli”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas po transportonte disa emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA. Vijon puna për kapjen e tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet dhe dy aparate celulare.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.