“Transmetimi i koronavirusit në shkolla është i kufizuar”, epidemiologu publikon studimin: Duhet strategji dhe gjurmim

302
Sigal

Një ndër pyetjet më madhore që shtrohet sot, është nëse duhet të hapen shkollat apo jo?

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, ka botuar dje të dhënat e një studimi të kryer nga Qendra për Kërkimin e Survejancën e Imunizimit të NSW-Australi, sipas të cilit konkludohet se transmetimi i virusit në institucionet arsimore është i kufizuar.

“Në shtetin New South Wales të Australisë (popullatë 7.54 milionë banorë), evidentohet se transmetimi nëpër shkolla është krejtësisht i kufizuar deri më sot.

Pse ka rëndësi Australia? Për dy arsye: Shkollat janë të hapura që më 29 prill në Australi.

Periudha prill-korrik në Australi i përkon stinës së vjeshtë-dimrit. Këto të dhëna mund të informojnë hemisferën veriore mbi çfarë do të ndodhë në vjeshtë-dimër kur të hapen shkollat.

Studimi tregoi se transmetimi në institucione arsimore është i kufizuar.

Survejanca e vazhdueshme është e rëndësishme, pasi është demonstruar se mund të ndodhin raste infektimi brenda institucioneve arsimore, veçanërisht nëse infeksioni nuk zbulohet dhe nëse ekspozimi është i gjatë”, ka shkruar doktori.

Studimi është kryer për një periudhë 3-mujore dhe rezultatet treguan që asnjë nga kontaktet e ngushta nuk u infektua.

“Qendra Kombëtare për Kërkimin dhe Survejancën e Imunizimit të NSW-Australi (NCIRS), organi zyrtar për survejancën e COVID-19, publikoi këto gjetje:

Periudha e mbuluar nga raporti: 10 Prill – 3 Korrik 2020.6 individë (4 nxënës dhe dy mësuese) në 6 shkolla të ndryshme ishin raste primare të infektuara me COVID-19. 521 individë (459 nxënës dhe 62 mësues) u zbuluan nga hetimi epidemiologjik si kontakte të ngushta të 6 personave të infektuar. Asnjë nga 521 kontaktet e ngushta nuk u infektua”, vë në dukje Alimehmeti.

Të dhënat, sipas tij, tregojnë se transmetimi në institucione arsimore mund të vazhdojë të qëndrojë i kufizuar, nëse: rritet ndërgjegjësimi komunitar, implementohen strategjitë e higjienës, qëndrohet në shtëpi kur janë të pranishme simptomat, testohet herët dhe kryhet gjurmimi i kontakteve.