Transformimi i Vlorës/ Shtyhet afati për rikualifikimin e bregdetit, që do nis nga Uji i Ftohtë -Radhimë-Orikum: Ndërhyrje për ta rimodeluar

346
Sigal

Një nga projektet më me interes në zonën e bregdetit është në fazë prokurimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili njoftoi së fundmi se afati për paraqitjen e ofertave dhe dokumenteve është shtyrë më 14 prill.

Bëhet fjalë për projektin e rikualifikimit të bregdetit Vlorë-Radhimë-Orikum që po mbështetet nga Fondi Saudit dhe që afat fillestar kishte 25 marsin për paraqitjen e ofertave. Projekti që po flitet prej disa vitesh ka ngjallur interes pasi është një nga zonat më të frekuentuara gjatë sezonit turistik dhe i shoqëruar edhe me problematikën e trafikut.

Hartimi i një projekti të ri që e ndryshon tërësisht zonën duke shtuar edhe element të tjerë që sot nuk ekzistojnë e ka bërë që të shihet kujdes transformimi që pritet të nisë pas mbylljes së tenderit dhe nënshkrimit të kontratës.

Por çfarë synon në fakt ky projekt. Në planin fillestar të Fondit nënvizohej se projekti nis nga dalja e Tunelit në Ujin e Ftohtë e deri në Marinën e Orikumit. Ndër të tjera parashikon që të ndërhyhet në disa aspekte duke përfshirë edhe një korsi biçikletash me gjatësi 5.3 kilometra.

“Objektivi kryesor i projektit është rimodelimi i segmenteve të lartpërmendur të bregdetit të Rivierës së Vlorës përmes a) Krijimit të një korsie biçikletash të vazhdueshme dhe ndërhyrjeve përgjatë rrugës ekzistuese për rritjen e aksesit dhe parkimit b) rikualifikimi i plazheve përmes peizazhit, punime të vogla marine dhe shërbime publike c) rehabilitimi dhe valorizimi i zonave të gjelbërta përmes përmirësimit te peizazhit. Pika e fortë e dhuruar nga natyra do të shërbejë për brandimin e Rivierës së Vlorës si destinacion i dalluar për turizmin bregdetar dhe në këtë mënyrë do të sigurojë sukses në zhvillimin ekonomik të zonës dhe më gjerë duke krijuar plazhe tipike që synojnë tregun rajonal” thuhej në atë kohë në dokumentet prezantuese.

Zona bregdetare Vlorë-Radhimë-Orikum që do t’i nënshtrohet rikualifikimit përfshin një gjatësi totale të vijës bregdetare: 5.9 km, një gjatësi totale e korridorit të biçikletave/këmbësore: 5.3km, gjatësi totale e shëtitoreve të reja bregdetare: 5 km dhe sipërfaqe totale e zonave të ndërhyrjes së peizazhit dhe rimodelimit të plazhit: 26hektarë.