Trafiku në Durrës: Të kalisësh durimin në kufij të ekstremitetit

874
Sigal

SITUATË KAOTIKE/ Paralizohet qarkullimi rrugor. S’ka semaforë në kryqëzime qarkullon kush është më i zoti

Një segment rrugor, të cilin me makinë mund të lëvizësh për 5 minuta nga policia drejt bashkisë, nga spitali drejt poliklinikës, apo nga qendra e Durrësit drejt hyrjes, në situatën aktuale koha e lëvizjes është 10 -fishuar. Çka do të thotë se për të lëvizur në Durrës me makinë, duhet të shpenzosh jo vetëm para për karburantin, por dhe kohë që është shumë e çmuar dhe padiskutim të shpenzosh “durim” në kufijtë maksimalë të vetëpërmbajtjes. Nëse makinat lëvizin me shpejtësinë e një breshke, me të njëjtin hap lëvizin edhe këmbësorët, të cilëve trotuaret u janë zënë nga automjetet që nuk kanë, ku të parkojnë, ndërsa sinjalistika rrugore jo vetëm që nuk respektohet nga këmbësorët, por kjo sinjalistikë që ekziston është kthyer në një makth të madh për të gjithë. Kaosi ka përfshirë të gjitha rrugët, në të cilat mungojnë tabelat sinjalizuese, sinjalistika horizontale dhe vijëzimet, ndërsa vendparkimet mungojnë tërësisht.

Bllokimi

Të gjitha rrugët brenda qytetit bregdetar të Durrësit janë të bllokuara si pasojë e mbingarkesës dhe trafikut të rënduar. Situata përkeqësohet sepse Durrësi ka vetëm një rrugë kryesore hyrëse dhe dalëse, nga Ura e Dajlanit deri tek Stacioni i Trenit, ku nisin edhe kryqëzimet brenda qytetit. Pikërisht në këtë rrugë nis trafiku që më pas shpërndahet në të gjithë qytetin, aq sa njerëzit humbasin çdo lloj logjike në lëvizjet që bëjnë në rrugë. Ashtu si në Indi, ku kafshët lëvizin në të njëjtën rrugë me makinat dhe njerëzit, ku mungon sinjalistika, po ndodh edhe në Durrës.

Emigrantët

Dyndja e mijëra emigrantëve dhe e pushuesve është një prej shkaqeve për këtë situatë kaotike, qytetin bregdetar si një prej problemeve më shqetësuese për të gjithë shoferët dhe komunitetin, i cili në këto ditë të nxehta vere kalon orë të tëra në trafik. Turistë, të huaj vendas dhe durrsakë, shoferë, këmbësorë,  shoferë autobusësh të linjave urbane kanë të njëjtin shqetësim madhor trafikun e rënduar. Ata  shprehen se kjo situatë absurde i ka vënë para shumë pikëpyetjesh, sepse anë të kushtëzuar nga gjithçka që ka të bëjë me qarkullimin në rrugë. Në kryqëzime qarkullon kush është më i zoti, ai që pa marrë parasysh rrezikun e kalon rrugën, hyn pa asnjë shenjë, sepse semaforët nuk funksionojnë, në të njëjtën situatë janë edhe këmbësorët, të cilët u ndërpresin rrugën automjeteve.

Policia

Policia e Qarkullimit në Durrës ka shtuar prezencën, madje prej disa ditësh në Durrës kanë mbërritur edhe forca shtesë nga Kosova, punonjësit e policisë nga Kosova janë vendosur në rrugën e plazhit, për mbikëqyrje të trafikut dhe janë këta të fundit, ata të cilët kontrollojnë automjetet e qytetarëve të tyre në rrugë. Në këtë situatë të rënduar që ka përfshirë të gjithë qarkullimin punonjësit e policisë po punojnë me orë jashtë orari, për disiplinimin e trafikut, por disiplinimi është i pamundur.

AKU kontrolle në plazh për sigurinë ushqimore

Dy grupe Task-Force të Drejtorisë së Përgjithshme të AKU-së kanë nisur kontrolle “blic” në zonën bregdetare të Durrësit tek subjektet e pikave të shumicës që tregtojnë produkte ushqimore. Objekt i kontrollit janë data e skadencës, etiketat e produkteve në gjuhën shqipe, kushtet higjieno- sanitare të ruajtjes së mallit dhe një vëmendje e veçantë i kushtohet dezinfektimit të magazinave. Të mbështetur edhe nga inspektorët e drejtorisë rajonale të Durrësit, kontrolle janë ushtruar në gjashtë magazina të mëdha, në të cilat furnizohen me produkte ushqimorë, supermarketet baret dhe restorantet e kësaj zone turistike me fluks të madh konsumatori. Një shqetësim për këtë dikaster janë ambulantët që shfaqen gjatë kësaj periudhe, që ndonëse janë në një numër më të vogël sërish kërkohet ndërhyrja e pushtetit vendor, pasi nuk kanë asnjë  lloj identifikimi. Drejtori i AKU-së në Durrës, Gëzim Ylli, ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve janë konstatuar mangësi të vogla, por që nuk ndikojnë në garantimin e produkteve që blihen nga konsumatori.

Zjarri në Shkëmbin e Kavajës rrezikoi zonën turistike

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shkrumbuar bimësinë me shkurre në zonën e shkëmbit të Kavajës. Pas mesdite një zjarr i fuqishëm është shfaqur dhe i favorizuar nga era ka përfshirë të gjithë faqen e pjerrët të Shkëmbit të Kavajës vetëm 500 metra larg prej zonës turistike. Flakët janë përhapur me shpejtësi ndërsa shuarja e tyre ka qenë e vështirë për  zjarrfikësit, të cilët e kanë patur të pamundur ndërhyrjen për shkak të terrenit të thyer e tepër të vështirë. Në pjesën e sipërme të kodrës zjarrfikëset kanë luftuar me flakët për disa orë me radhë për të shmangur flakët që ishin shumë pranë disa banesave. Dyshohet se shkak i zjarrit, vatra, e të cilit fillesat i pati në krah të rrugës nacionale dhe u ngjit në të gjithë sipërfaqen e Kodrës, ka qenë pakujdesia e udhëtarëve, të cilët mund të kenë hedhur një cigare të ndezur.

Aksion për motorët e ujit që kanë mangësi dokumentacioni

Policia kufitare e Durrësit ka nisur zbatimin e një plani masash për të evituar mbytjen e pushuesve. Forcat e policisë kufitare detare kanë nisur kontrollet përgjatë vijës bregdetare deri në zonën e Shëngjinit. Krahas parandalimit të mbytjeve në ujë, një tjetër qëllim është edhe respektimi i normave në përdorimin e mjeteve lundruese. Policia po mbikëqyr me motoskafë vijën bregdetare dhe deri tani ka gjobitur pronarët e tetë mjeteve, kryesisht motor uji, të cilët kishin mangësi në dokumentacione. Vlera në total e gjobave shkon në 150 mijë lekë dhe një pjesë e mjeteve janë bllokuar deri në likuidimin e gjobës. Vendimi parashikon qe  në këto plazhe  të ketë bova sinjalizuese detare për lëvizjen e tyre të paktën 200 metra larg pushuesve, si dhe rrugë të përcaktuara më parë për daljen e tyre nga vendbazimet kolektive apo familjare deri në bregdet. Motorët e ujit arrijnë shpejtësi deri në 100 milje në orë dhe, sipas vendimit të fundit të qeverisë shqiptare, lëvizja e tyre në zonat turistike duhet të jetë e monitoruar dhe e kontrolluar nga njësitë e qeverisjes vendore , policia kufitare dhe nga një sërë institucionesh. Krahas vendimit të bërë publik apo masave te deklaruar drejtues të policisë kufitare në Durrës  janë mjaftuar vetëm me  bllokimin  e motorëve të ujit.

Kërkesa

Pushuesit i kërkojnë motorët e ujit pavarësisht çmimit të lartë që aplikohet rreth 100 euro për orë. Janë kryesisht të rinjtë, të cilët janë edhe simpatizantët dhe aplikuesit më të mëdhenj të këtij sporti. Shpejtësia e motorëve të ujit mund të arrijë deri  100 km/h dhe si të tillë ato përbëjnë një rrezik nëse lundrojnë në cekëtinë, ku qëndrojnë pushuesit e moshave të ndryshme.

Reagimi i Kryebashkiakut Dako

I pyetur nga “Telegraf” kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako deklaroi se asnjë motor uji nuk është lejuar në plazhin e madh kombëtar, ashtu siç ndodhi edhe vitin e shkuar. “Bashkia e Durrësit, nuk do të lejojë asnjë motor uji në plazhin e madh të Durrësit, ashtu siç vendosëm për të mos i lejuar edhe një vit më parë. Nuk duam të ketë asnjë aksident në plazhin tonë nga këto mjete. Nëse ka subjekte që duan të licencohen bashkia ka vendosur që këtë aktivitet mund ta ushtrojnë vetëm në zonën e Currilave pranë porti të Gjermanit dhe ata mund të lëvizin nga Porti i Durrësit deri në Kallm. Vetëm në këtë zonë do të lejohet që motorët e ujit të shëtisin qytetarët e ndryshëm dhe turistët që i frekuentojnë këto mjete”, tha Dako.