Trafiku i refugjatëve në Vlorë, kapen klandestinë dhe gomone, por jo organizatorët

472
Sigal

Lulëzimi i trafikut të klandestinëve është kthyer në një prej problematikave me të cilat po përballet Policia e Vlorës, pasi qyteti është tashmë i njohur për trafiqet e paligjshme drejt brigjeve italiane. Pas mbylljes se kufijve të Europës, vendi është përballur me një valë të re emigrantësh, të cilët vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe që kanë destinacion final shtetet e Europës Perëndimore. Dhe Vlora është kthyer në një pikë nga ku klandestinët, të kontaktuar nga grupet shqiptare por jo vetëm, tentojnë kalimin drejt brigjeve italiane, duke rigjallëruar trafikun klandestin me gomone.

Klandestinët janë kapur në rrugë dhe qytet në pritje për t’u nisur. Edhe gomone janë kapur që kanë çuar klandestinë përtej brigjeve. Por ajo qe mbetet problematike është cilësia e hetimit të këtyre rasteve dhe kapja e organizatorëve. Në janar dhe shkurt, në dy raste, Policia e Vlorës kapi dhjetëra klandestinë në rrugë pranë grykëderdhjes së lumit Vjosa, pikë strategjike nga ku janë nisur skafe me trafikantë apo lëndë narkotike. Klandestinët e pyetur tregonin se u ishte premtuar kalimi drejt brigjeve italiane, por nga kush dhe cili e kishte organizuar, deri më tani, asgjë nuk dihet.

Në orët e para të mëngjesit të 24 prillit në Itali u kapën 33 klandestinë që deklaruan se kishin ardhur nga Shqipëria me një gomone e cila drejtohej nga dy persona shqiptarë. Të nesërmen e kësaj ngjarje, u kap në brigjet shqiptare pranë Karaburunit një skaf me dy persona që sipas emigrantëve në Itali, ishte skafi që i kishte transportuar. Dy të ndaluarit në asnjë moment nuk pranojnë implikimin në trafikun klandestin, edhe pse mjeti rezulton i paregjistruar dhe i vjedhur në Greqi. Por, alibia e tyre, se kishin dalë për peshkim me një gomone me dy motorë nga 250 kuaj fuqi secili, lë shumë për t’u besuar. Gjithsesi fakti është që hetimi nuk po arrin të identifikoje organizatoret e këtij rasti trafiku.

Ende pa kaluar dy muaj nga ky rast, më 4 qershor, Policia e Vlorës zbuloi një tjetër baze të strehimit të emigrantëve. 21 shtetas egjiptianë u ndaluan brenda banesës së shtetasit Petrit Pashaj në Qendrën Historike të qytetit. Pashaj u ndalua nga Policia së bashku me një egjiptian me nënshtetësi italiane, i quajtur Yahia Yuseff. Të dy këta persona u lanë nga Gjykata me detyrim paraqitje. Pronari i banesës deklaroi se i kishte strehuar emigrantët pasi i kishte ardhur keq kur i kishte gjetur në rrugë. Ndërsa egjiptiani Yuseff deklaroi se kishte ardhur për të kërkuar të vëllain dhe se nuk kishin dorë në trafikun e klandestinëve. Edhe kjo çështje vazhdon të mbetet pa kokë, ndërsa hetimet e deritanishme të Policisë dhe Prokurorisë së Vlorës lënë pak hapësirë për të zgjeruar më tej hetimet apo për të identifikuar dhe arrestuar organizatorët e trafikut të ringjallur klandestin.