Sigal

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka përshëndetur aksionin e Policisë së Shtetit për shkatërrimin e grupit kriminal që trafikonte klandestinë drejt SHBA.

Në një status në FB, Ambasada thotë se përgëzon Policinë Shqiptare të Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për përfundimin me sukses të pjesës së dytë të operacionit “One by Land” javën e kaluar, ndërmarrë në bashkëpunim me agjentët specialë të Shërbimit të Sigurimit Diplomatik të Departamentit të Shtetit pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.

“Ky operacion bëri të mundur shkatërrimin e shtatë grupeve të strukturuara kriminale, të cilët mundësonin kalimin e paligjshëm të kufinjve duke lëshuar dokumente të falsifikuar”.

“Këto grupe operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Dominikane, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Si pjesë e operacionit, policia arrestoi dy oficerë shqiptarë policie me detyrë kontrollorë kufiri, të cilët bashkëpunonin me grupet. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë dhe mbështesin përpjekjet në zbatimin e ligjit për të parandaluar emigrimin e paligjshëm dhe për të arrestuar personat përgjegjës”, thuhet në njoftim.