Trafiku i drogës drejt Greqisë, mes të arrestuarve edhe një avokat. Si ranë në pranga vëllezërit dhe bashkëpunëtorët e tyre

147
Sigal

Edhe katër persona të tjerë kanë përfunduar në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Restart”, i nisur pesë muaj më parë nga Policia e Korçës, duke e çuar në 16 numrin e personave të arrestuar gjithsej si të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Në fazën e gjashtë të operacionit, kanë përfunduar në pranga vëllezërit Klaudio dhe Bardhi Sino, përkatësisht 35 dhe 38 vjeç; Blerim Karameta, 26 vjeç, banues në Miras Devoll dhe Igli Cangëtari, 30 vjeç, banues në Çetë, Devoll.

Policia kishte marrë informacione të mëhershme se dy vëllezërit Sino do të transportonin lëndë narkotike, duke ngritur një “pritë” ndaj tyre në hyrje të fshatit Miras.

Pasi forcat e rendit kanë zbritur në terren, dy vëllezërit janë përpjekur të mos e hapin derën.

“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të grumbulluara se shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim mes tyre, do të transportonin një sasi droge, organizuan punën dhe bënë lokalizimin e mjetit tip ‘Mercedes-Benz’, në afërsi të hyrjes së fshatit Miras, Devoll, me drejtues shtetasin K. S.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 65 pako, me peshë totale 69 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis”, sqaron Policia.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 35-vjeçarit, iu gjetën e sekuestruan edhe 3 kg të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një sasi municioni luftarak.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezultoi se bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal janë edhe tre të arrestuarit e tjerë. Policia thotë se po vijojnë hetimet për të zbuluar edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Faza e parë e operacionit nisi më 7 nëntor të vitit të shkuar, kur Policia arrestoi katër persona, tre prej të cilëve me precedentë penalë, të cilët i konsideroi “Grup i strukturuar kriminal” në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek.

Gjatë operacioni, u sekuestruan 114 kg drogë, 1 armë sportive, 4 automjete, si dhe 1 presë që shërbente për paketimin e lëndës narkotike. Fillimisht u kap avokati Joni Mosku (me precedentë), duke trafikuar me makinën e tij tip “Opel Meriva”, një sasi prej 66 kg kanabis nga pika kufitare e Goricës. Pas një kontrolli në një magazinë, u gjet edhe sasia prej 48 kg në pronësi të 29-vjeçarit Ligor Romaçka (me precedent).

Nga hetimet, në këtë veprimtari ishte i përfshirë edhe Idriz Menaj dhe Albion Çiko, ky i fundit në arrest shtëpie, por trafikonte drogë. Më 12 dhjetor, në kuadër të operacionit, u sekuestruan edhe 73 kg kanabis, të fshehur brenda një automjeti tip “Mozda”, që drejtohej nga shtetasi Gjergji Mollanji, i cili tentoi ta trafikonte drejt Greqisë.

Tri ditë më vonë u arrestuan edhe shtetasit Sokol Kadilli dhe Ergis Fidani, ndërsa u kapën edhe 65 kg kanabis. Më 16 shkurt u zhvillua një tjetër operacion duke u sekuestruar 70 kg kanabis.