DURRËS/Avokatja Kumi: Rekord divorcesh në vitin 2013. Në të shumtën e rasteve denoncimet janë bërë nga gratë
Megjithëse, qytet me nivel të qëndrueshëm ekonomik, Durrësi, njihet edhe si qyteti, ku lojërat e kumarit dhe tradhtia bashkëshortore janë bërë shkaku për rritjen e numrit të divorceve. Kjo është sinoptika e përgjithshme e situatës dramatike të divorceve të shumta që kanë pushtuar qindra e qindra familje në qytetin e Durrësit.
FENOMENI
Sipas statistikave zyrtare, mësohet se çdo muaj shtohen divorcet e martesave në Gjykatën e Shkallës Parë, ndërsa për këtë numër të madh divorcesh janë identifikuar si shkaqe kryesore, kumari, tradhtia bashkëshortore edhe varfëria. Kështu, vetëm në muajt tetor-dhjetor 2013 statistikat tregojnë se numri i divorceve pësoi rritje dhe janë kryesisht, familjet me mbi 10-15 vjet martesë, por edhe emigrantët. Gjatë vitit 2013 në Durrës, Gjykata shkurorëzoi afro 510 çifte, me 1 deri 10 vjet martesë, ndërsa dhjetori këtij viti ka të regjistruar në Gjykatë plot 26 kërkesa të reja për zgjidhje martese nga çifte të moshave të ndryshme. Shoqata për Këshillimin e Grave dhe Vajzave në këtë qytet, konfirmon se, “së fundi fenomeni që po vihet re janë divorcet me mbi 15 vjet martesë e më shumë dhe shkaku kryesor është përfshirja e meshkujve në tradhti bashkëshortore dhe lojëra fati e kumar”. Avokatja Elvira Kumi shprehet për “Telegraf” se, “kemi raste që kanë përfunduar edhe në përdorimin e dhunës dhe kësaj qendre i janë drejtuar së fundi gra ndërmjet moshës 40-55 vjeç, të cilat kërkojnë asistencë ligjore për divorcin pasi janë gjendur përballë një bashkëshorti që pagën e lë në bixhoz, e tradhton dhe madje edhe e dhunon”. Avokatja Kumi thotë se, “rastet e lënies së parave në bixhoz janë shtuar ndjeshëm, kemi pasur raste kur gratë janë gjendur përballë zhdukjes së orendive të shtëpisë si pasojë e humbjes në lojëra fati”. Gratë detyrohen të divorcohen pasi nuk kanë gjetur asnjë rrugë tjetër për ta rikthyer në normalitet bashkëshortin, i cili pas konflikteve zgjat edhe duart duke u kthyer në një njeri të dhunshëm. Një tjetër fenomen gjithmonë e më i pranishëm është tradhtia e ndjekur edhe nga dhuna. Situata ekonomike, mentaliteti dhe familje të ndërtuara me bashkëshortin dominues, bixhozi, emigracioni si dhe mungesa e një pavarësie nga ana e femrës bën që situatat të shkojnë deri në ekstremitete të dhunës- thotë avokatja. Miratimi i ligjit kundër dhunës është një fitore por penalizimet që parashikohen mbeten vetëm në kuadrin civil e jo penal, aplikimi i “Urdhrit të Mbrojtjes” është një hap i rëndësishëm kundër dhunës ndaj femrës, por kur dhunuesi nuk rrezikon burg ai kthehet në të njëjtat veprime. Çdo qytetar është i lirë të paraqesë një kërkesë për urdhër mbrojtje në Gjykatë duke paraqitur prova për dhunën apo kërcënimet dhe me miratimin e kësaj kërkese policia duhet të ndërhyjë e të shoqërojë shkelësin e urdhrit të mbrojtjes por vetëm kaq pasi ky ligj nuk është penal. Avokate Kumi shprehet se “ne do të kërkojmë të jetë procedim penal pasi në të kundërt dhuna ndaj femrës do të vazhdojë dhe ajo do të ndjehet akoma edhe më e pambrojtur”. Qendra në Durrës ka ofruar dhe ofron asistencë falas për gratë që kërkojnë urdhër mbrojtje apo duan të bëjnë kërkesa për divorc. “Ajo çfarë vëmë re është se ato nuk i shkojnë procedurës deri në fund dhe rikthehen në gjirin e dhunës sërish, dua të kujtoj këtu rastin e një gruaje 28- vjeçare që ka bërë disa herë praktikat për divorc e urdhër mbrojtjeje por është rikthyer sërish me bashkëshortin dhunues”- tha zonja Kumi. Avokatja pohon se në shumicën e rasteve, janë fëmijët që detyrojnë gratë të rikthehen në familje edhe pse shenjat e dhunës i kanë në trup.
STATISTIKAT
Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës kanë depozituar kërkesat për divorc vetëm për muajin e fundit plot 26 çifte, një kambanë alarmi për situatën në familjen shqiptare. Gjyqtarët shprehen se, “ka prej tyre që pendohen duke i anuluar vendimet për aktin final pas seancës së pajtimit, ndryshe nga më parë kur të divorcuarit kryesisht ishin çifte të reja, tani ky fenomen social ka prekur edhe mosha më të pjekura. Nëse në vitet ‘90 divorcet kishin si shkak ndryshimet social-ekonomike, tashmë ata kanë si shkak marrëdhëniet në çift, të cilat nuk funksionojnë mbi baza partneriteti. Kështu nga statistikat rezulton se, janë 74 divorce për vitin 2012 të shkaktuara për shkak të dhunës në familje, pra gratë ndahen prej burrave të dhunshëm të cilët ushtrojnë dhunë fizike dhe psikike mbi to dhe fëmijët. Një pjesë tjetër divorcohen për shkak të përdorimit të pijeve alkoolike pa kriter nga ana e burrave në kurriz të mbarëvajtjes në familje. Sipas statistikave, janë regjistruar edhe një numër divorcesh për shkak të bixhozit, i cili ka prekur një numër të madh të popullatës. Rrënimi i të ardhurave familjare ka çuar në këtë vendim mjaft gra. Rreth 60% deri 70% e divorceve janë kërkuar nga ana e grave dhe më pak kanë si protagonistë burrat. Në të kaluarën (gjithnjë para viteve’90) kanë qenë burrat ata që kërkonin të ndaheshin nga gratë e tyre. Ndryshe nga më parë kur të divorcuar predominonin çiftet e reja,tashti ky fenomen social ka prekur edhe mosha më të pjekura.