Totozani: Shqipëria ende pa përcaktuar nivelin minimal të standardit të jetesës!

635
Edhe pse qeveria e së Majtës erdhi me shumë premtime elektorale për dhënien e ndihmave ekonomike njerëzve në nevojë, madje, në shërbim të këtij qëllimi ndryshoi edhe emërtimin e ministrisë së Punës në ministri të Mirëqënies Sociale, por siç konstaton edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani në raportin vjetor të institucionit që ai drejton, faktikisht ende në Shqipëri nuk është përcaktuar niveli minimal i standartit të jetesës në Shqipëri. Mungesa e këtij treguesi bën që edhe ndihma ekonomike e sociale për familjet e njerëzit në nevojë të mos jetë e barabartë. Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë vitit 2014 ka trajtuar 184 ankesa për sa i përket ndihmës ekonomike. Këto ankesa kanë qënë kryesisht individuale, por ka patur dhe ankesa të cilat janë paraqitur nga grupe të interesit. Gjithashtu, janë trajtuar me iniciativën e institucionit dhe raste të bëra publike në media, të cilat objekt kanë patur si indivitë të veçantë, dhe familjet e tyre, por dhe numër më te madh individësh. 
Sigal

Absurditeti: Rekomandimi i Avokatit të Popullit, nuk reflektohet 
Duke qenë se minimumi jetik është përcaktues në nivelet e përfitimeve në skemat e mbrojtjes shoqërore, i jemi drejtuar Kryeministrit të RSH me një rekomandim për ngritjen e një grupi pune për studimin dhe përcaktimin e nivelit minimal të standarit të jetesës në Shqipëri. Efektivisht deklarimi zyrtar i minimumit jetik do të shërbente jo vetëm si një realizim i detyrimit ligjor nga ana e qeverisë, por edhe si bazë për rikualifikimin e realizimit të një sërë të drejtave të tjera të individëve në vend. Megjithë rekomandimet periodike kohore të përgatitura nga ana e Avokatit të Popullit për këtë qëllim, ende nuk ka një deklarim zyrtar të minimumit jetik në Shqipëri.
Disa nga problematikat kryesore të adresuara nëpërmjet ankesave gjatë vitit 2014 janë:
– Përjashtimi nga skema e ndihmës ekonomike të shumë familjeve, që kanë qënë përfitues për vite me rradhë, i familjeve me pak anëtarë, ose një individ, të familjeve me kryefamiljare gra, të cilat janë të divorcuara, ose ju ka vdekur bashkëshorti.
– Pamundësia e kryerjes të vizitave në familje për evidentimin e gjëndjes, sipas mënyrës së parashikuar, nga administratorët shoqëror.
– Mospasja e një kohe të mjaftueshme për të kuptuar kërkesat e parashtruara në formularin e aplikimit për herë të parë të aplikuesve dhe administratorëve shoqëror, për shkak të fluksit të krijuar. Kjo në zbatimin e projektit pilot për përfitimin e ndihmës ekonomike.
– Mos lëshimin në kohë e dokumentacioneve të kërkuara për përfitimin e ndihmës ekonomike nga institucione të caktuara, Zyra e Regjistrimit të Automjeteve të Qarkut Korçë, e cila pengoi për muaj me rradhë dhënien e ndihmës ekonomike në Bashkinë Leskovik.
– Mosparashikimin në buxhet nga ana e organeve të qeverisjes vendore të fondeve për të ofruar ndihmë ekonomike edhe jashtë kritereve për raste të veçanta, si në rastin e familjeve në gjakmarrje.
– Mosofrimi i programeve nga organet e qeverisjes vendore për të angazhuar përfituesit e ndihmës ekonomike në të mirën e përbashkët, por dhe të vet përfituesve, duke rritur të ardhurat e këtyre të fundit.
– Vonesë në dhënien në kohë të pagesës së ndihmës ekonomike
– Kërkesa për t’u sqaruar lidhur me përfitimet nga Legjislacioni i Ndihmës Ekonomike.
Rekomandimet e Avokatit të Popullit për Ministrinë e Mirëqënies Sociale
Nisur nga qëllimi për gjetjen e një zgjidhje ligjore të këtij problemi, institucioni i Avokatit të Popullit e çmoi me vend t’i dërgonte një rekomandim në datën 04.12.2014, Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë ku rekomandonte:
– Bërjen e një analize të kujdesshme përmbajtjes së pyetësorit të formularit që aplikohet për përcaktimin e pikëzimit, mbi bazën e të cilit vendosej nëse aplikuesi përfitonte ndihmë ekonomike apo jo;
– Rivlerësimin e të gjitha rasteve të pikëzimit për ato familje që janë përjashtuar nga përfitimi i ndihmës ekonomike;
– Pas përmirësimeve përkatëse duhej bërë trajnimi i administratorëve shoqërore për plotësimin sa më të saktë të pyetjeve të formularëve të aplikimit, me qëllim që familjet pretenduese për ndihmë ekonomike, kur janë vërtetë në kushtet e përfitimit të kësaj ndihme, të përfitojnë këtë të drejtë.
– Gjithashtu, të bëhej verifikimi në familje nga ana e administratorëve shoqërore, por edhe në bashkëpunim me punonjësit e Zyrës Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, dhe kjo të vihej si një kërkesë e detyrueshme për çdo rast të familjeve aplikuese për përfitim të ndihmë ekonomike.