Totozani rekomandim Didit: Anuloni gjobat në mungesë!

453
Sigal

Policia e Saimir Tahitit harron luftën ndaj krimit e merret me plan gjobash në akse rrugore

TIRANË – Avokati i Popullit, Igli Totozani, kërkon revokimin e gjobave të vendosura nga policia në mungesë të drejtuesve të mjeteve. Kështu, ‘uria’ e policisë vetëm për të vendosur gjoba, ndonëse aksidentet me viktima shtohen nga dita në ditë e jeta e qytetarëve është e pasigurt, ka shqetësuar Avokatin e Popullit. Kërkesa e Totozanit është një shenjë tjetër alarmi për ‘shkundjen’ e ministrit Tahiri për të lënë paradën e ‘sukseseve’ dhe të garantojnë rend e qetësi në gjithë vendin, të intensifikojnë luftën ndaj krimit e korrupsionit. Kërkesa është bërë me anë të një rekomandimi dërguar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi. Totozani kërkon që policia të revokojë të gjitha gjobat që Rrugorja ka vendosur në mungesë dhe nuk ka njoftuar drejtuesin e mjetit brenda afatit 30-ditor që përcakton ligji, shkruan sot gazeta Panorama. Në rekomandimin drejtuar Artan Didit, Totozani argumenton shkresën e tij mbi baza ligjore që parashikon Kodi Penal, sipas të cilit efektivët e Qarkullimit kanë detyrim të njoftojnë personin që i kanë vendosur gjobë. Pavarësisht justifikimeve të vazhdueshme të shefave të Qarkullimit se mungon infrastruktura dhe nuk ka një sistem adresash të saktë, Totozani shpjegon se, Policia i ka të gjitha kushtet për të gjetur adresën e kundërvajtësit. Madje, edhe shpenzimet për punën kërkimore në terren i kalojnë shoferit që ka marrë gjobën. “Vendosja e gjobave në mungesë të drejtuesit të mjetit është një e drejtë e punonjësve të Policisë së Shtetit e parashikuar në nenin 199 të Kodit Rrugor. Ndërkohë, në këtë dispozitë është parashikuar edhe detyrimi i organeve të Policisë për të bërë njoftimin e kundërvajtësit për shkeljen. Mirëpo ky detyrim ligjor nuk zbatohet nga organet e Policisë”, shprehet Avokati i Popullit në rekomandimin e tij. Ndërsa shpjegon se nga komunikimi me disa drejtues e punonjës të Policisë Rrugore është konstatuar se kjo dispozitë njihet prej tyre, por moszbatimi i saj nga drejtuesit e Policisë Rrugore justifikohet me mungesën e infrastrukturës, si të regjistrit të adresave, ndryshimin e adresave të drejtuesve të mjeteve etj. “Ju sjellim në vëmendje se Kodi Rrugor ka përcaktuar jo vetëm detyrimin e organit të Policisë për njoftimin e kundërvajtësit në të tilla raste, por në të njëjtën kohë ka parashikuar edhe mënyrën e njoftimit, si nëpërmjet Policisë Rrugore, korrierët komunalë, postës etj.. Gjithashtu Kodi Rrugor ka parashikuar edhe subjektin ndaj të cilit do të ngarkohen shpenzimet e verifikimit dhe të njoftimit në këto raste, i cili është kundërvajtësi”, shprehet Totozani në rekomandimin e tij.