Toka bosh dhe njerëz bosh

753
Sigal

Enver CAKAJ

Po mbushen 30-vjet me të ashtuquajturën demokraci, po ne nuk kemi lëvizur nga vendi. Jemi ata që kemi qenë. E kemi për nder të rrimë pa punë vetëm qibrën të mos e heqim nga mendja. Më kujtohet një rast nga ato vitet e sistemit që lamë pas. Në ndërmarrjen komunale bëhej një mbledhje për të shkuar në prodhim, por edhe për lëvizje brenda ndërmarrjes. Mes të tjerëve u ngrit një nga punonjësit dhe propozoi të lëviznin edhe një grua që pastronte banjot e qytetit. Arsyeja, sepse ajo përfitonte dhe pension dhe kishte rrogë më të lartë nga të tjerët. Propozimi u pranua, por i thanë propozuesit që të vinte ai në vend të saj. Atëherë ai u ngrit e tërhoqi propozimin për shkak të qibrës që nuk i shkulej nga mendja. Ne, shqiptarët, jemi të çuditshëm, ankohemi për papunësi dhe punë nuk pranojmë. Të rinjtë kur shikojnë ndonjë shokun e tyre që punon, venë e tallin aq sa ai largohet nga puna. Në qytetin e Çorovodës një djalë nga një familje e mirë, që rrinte gjithë ditën rrugëve e klubeve, një ditë iu mbush mendja të punonte duke mbajtur llaç në ndërtimin e një banese, por sa e panë shokët e tij vajtën i thanë të atit: “Kaq keq paske mbetur sa të lësh djalin të mbajë llaç?!” Që nga ai çast djali e la punën.

Këto ditë kam dëgjuar një lajm të çuditshëm. Në Rrogozhinë nga 350-hektarë tokë, vetëm 30- punohen! Më keq paraqitet gjendja në Skrapar, Ersekë, Përmet dhe Gramsh, ku e gjithë toka është braktisur, kur njerëzit janë kail të rrinë më mirë pa punë e duke u ankuar, se sa të venë të punojnë tokat. Në fshatin Vinokash të Përmetit kanë ikur 35-familje dhe fshati të duket sikur ka dalë nga lufta. Arat i kanë mbuluar ferrat. Në fshatin Vërzhezhë të Skraparit nga 70-shtëpi që janë sot, vetën 4 e bëjnë bukën, të tjerat e blejnë në qytet, kur tokat rrinë shterpë. Kam një informacion nga Korça dhe Tirana, që shumë nga ata që kanë vendosur të jetojnë si njerëz, kanë marrë toka me qira dhe e kanë kthyer në toka prodhimesh kolosale. Ka prej atyre që janë kthyer nga emigrimi dhe kanë krijuar blloqe pemësh e ferma lopësh, që sigurojnë të ardhura të mira, dhe mbajnë dhe tregun me prodhime cilësore. Fitim Mezini nga Therepeli i Skraparit e la kurbetin dhe ka krijuar një bllok të bukur me pjeshkë, që ka bërë emër në tregun e Skraparit. Dy djemtë e Meleq Hysenbelliut nga Radëshi i Skraparit, kanë krijuar një tufë me 1200 krerë dele dhe i kanë zgjidhur problemet ekonomike të familjes, dhe kanë dalë dhe në treg me prodhime cilësore.

Njerëzit ende nuk e kanë kuptuar ekonominë e tregut dhe vazhdojnë të kërkojnë nga shteti edhe një copë mur që u është rrezuar në arën e tyre. Nuk e kanë kuptuar ende, se në këtë sistem është populli që mban shtetin, e kundërta e sistemit që lamë pas. Këtë mentalitet që të fukareps nga mendja dhe ekonomia e ka thënë shumë bukur rapsodi vlonjat, Feti Brahimi në këto vargje:

Hidhu vet e çaje detin,

Nuk kini më punë me shtetin.

Shteti, që ta merrni vesh,

Nuk të jep, po do t’i shtiesh.

Thonë kur ka pasur shtet,

Ka pasur mollë të arta.

Pemët që i mbollëm vetë

Vetë i premë me sëpata.

Toka bosh dhe njerëz bosh

Në Skrapar vijnë e punojnë firma të rretheve të tjera, po punëtorët i sjellin që andej, se të rinjtë e këtushëm nuk i lë qibra të punojnë. Dëgjojmë nëpër emisione televizive, se njerëzit po vriten për tokat. Këta janë ata që dinë ta vlerësojnë tokën. Sot ne po i shikojmë tokat djerrë dhe nuk na bën përshtypje, por brenda saj flenë vlera të çmuara, që do të zbulohen kur të mos kenë më qibër të zotët e saj. Këto ditë një nipi im, që banon në Durrës erdhi në hipotekën e Skraparit, që të gjithë tokën e fisit tonë do ta hedhë mbi vete. Më bëri përshtypje një gjë. Asnjë nga fisi ynë, që kanë djemtë pa punë nuk e hapi gojën për atë pjesë që u takon e rri djerrë në fshat. Si është e mundur që përbuzet toka që të jep vlera? Ka të ngjarë që do të vijnë nga jashtë shtetit ata që ia dinë vlerën tokës dhe ta blejnë për pesë lekë. Vërtet e kanë braktisur fshatin, po ka dhe disa që kanë lënë qytetin dhe kanë hapur biznese në fshat. Këtë shembull e kanë dhënë Agim Çuni, që e la Çorovodën dhe shkoi në fshatin Mollas, ku ka bërë mrekulli me tokën. Në të vërtetë ka ankesa, se puna mekanike me karburantin kushtojnë më shumë se prodhimi që marrin, por dhe kjo e ka një zgjidhje. Po të bashkohen të gjithë fermerët mund t’i blejnë vetë mjetet mekanike. Nuk është normale që toka rri djerrë dhe pronarët e tyre venë e blejnë drithin në qytet. Dhe çfarë blejnë, një miell që vjen era det e pa pikën e shijes. Mirë gruri dhe misri duan mjete mekanike e karburant që të mbillen, po vreshtat dhe perimet përse të mungojnë? Ato nuk duan shërbime mekanike.

Nuk është turp, që toka rri djerrë dhe fermerët zbresin e marrin fruta e perime në qytet?! Toka t’i jep të gjitha po të dish t’i japësh ato që kërkon ajo. Përse duhet ta blesh plehun për perimet kur ke bagëtitë tënde në fshat? Derisa ke vendosur të banosh në fshat, lipset t’i mbash të gjitha edhe delen, edhe lopën, edhe shpendët. Por njerëzve u është fukarepsur mendja. E kanë më mirë të venë e të grabitin prodhimet e të tjerëve e të rrojnë me djersët e tyre se të punojnë e jetojnë ndershmërisht. Si duket, në këtë sistem fjala ‘ndershmërisht’ është e huaj. Natyrisht në qytet ka dhe të papunë që nuk kanë toka, po mund të marrin me qira dhe ta rregullojnë mirë ekonominë e tyre. Por kemi dhe një shtresë tjetër që kanë marrë superprodhim nga toka e tyre dhe për këtë ankohen se nuk kanë ku i shpien prodhimet. Kjo vjen se ne ishim mësuar që të gjitha prodhimet i shpinim nëpër fabrika e punishte, të cilat vetë i ngritëm e vetë i prishëm, pa menduar se prishëm veten tonë. Po kur mbjell do të mendosh edhe për tregtimin e tyre. Edhe në fshat mund të ngrenë punishte për përpunimin e prodhimeve. Bota i koordinojnë veprimet e tyre. Njëri mban dele e lopë për qumësht, tjetri mban dele e lopë për mish dhe plotësojnë nevojat e njëri-tjetrit, por mbajnë dhe tregun. Ankohen në Delvinë se shteti nuk i ndihmon të tregtojnë superprodhimin e agrumeve. Po kur të gjitha familjet, edhe në qytet, mbjellin agrume, kush do t’i marrë? Shteti nuk ka fabrika përpunimi. Ne mendojmë se shteti mund të ngrejë dhe vetë fabrika e punishte për të thithur prodhimet e tepërta të fermerëve, sepse kjo do të ndikojë edhe për rritjen e punësimit. Nuk është mirë që qepa, molla dhe qershitë të thahen në pemë se s’kanë ku t’i tregtojnë.