Tjetërsimi i tokave në Sarandë, Apeli lë në fuqi masën e sigurisë për 6 të arrestuarit

109
Sigal

Gjyqtarja Miranda Andoni e Gjykatës së Apelit Gjirokastër ka lënë sot në fuqi masën e sigurisë të vendosur më 4 qershor nga Gjykata e Sarandës për 6 të arrestuarit për tjetërsimin  me dokumenta fals të 10 mijë m2 truall në Sarandë.

Për rrjedhojë noteri Aleko Anagnosti dhe përfituesi Fredi Mërkuri u lanë në masën  e sigurisë “Arrest në burg” me afat 45 ditë, ndërkohë  në “Arrest shtëpie” u lanë Pandi Zhonga, ish Drejtor i Urbanistikes në Bashkinë Sarandë, Rovena Alikaj ish juriste pranë ASHK Sarandë dhe përfituesit  e tjerë Arhondia Caraj e Valter Llomi.

E ndërsa katër të fundit do të vazhdojnë të qëndrojnë në masën e dhënë, Anagnosti dhe Mërkuri do të dalin sërish para gjykatës së Sarandës pas 3 javësh për rivleresim të masës së sigurisë pasi u mbaron afati prej 45 ditësh i dhënë në 4 qershor.

Ndërkohë Prokuroria e Sarandës prej 6 qershorit po vazhdon hetimet për dokumentacionin e sekuestruar në zyrën e noterit Aleko Anagnosti, e cila u dogj me qëllim 5 ditë pas arrestimit të tij, ndërkohë që zyra e tij u sekuestrua me vendim të Prokurorisë.

Po me vendim të Prokurorisë është vendosur sekuestro preventive edhe për truallin prej rreth 10 mijë m2 i përfituar nga shtetas të ndryshëm me dokumenta false.