Tiranë, UT nderon Hashim Thaçin me titullin “Doctor Honoris Causa”

554
Sigal

TIRANË – Ish-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është nderuar sot nga Universiteti i Tiranës me titullin  “Doctor Honoris Causa” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në lirinë e popullit të Kosovës, reformat integruese drejt familjes euroatlantike si dhe zhvillimin social-ekonomik për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Zv.Kryeministri  dhe ministri i jashtëm në qeverinë aktuale të Kosovës, Hashim  Thaçi, pasi mori çmimin nga Rektori Kule, shprehu mirënjohjen e tij, duke vlerësuar të gjithë ata që kanë kontribuar në arritjet e Kosovës.

 Fjalën e tij, Thaçi e nisi me pjesëmarrjen e shqiptarëve në marshimin në Paris, ku vlerësoj praninë e klerëve shqiptarë si përfaqësues të solidaritetit dhe tolerancës.
 
 “Nderimi i përbashkët që kleri shqiptar ishte sa madhështo aq mbresëlënës dhe u duartrokit nga e gjithë bota. Treguam tolerancën dhe solidaritetin e kombit Shqiptar. Kombi shqiptar dallon si një nga kombet më solidare.”- u shpreh Hashim Thaçi.
Më tej, ai bëri një përmbledhje të përpjekjeve të Kosovës para dhe gjatë luftës për pavarësi si dhe mbështetjen që u dha nga Shqipëria.

“Gjithë bota u befasua nga pritja që na u bë nga shteti më i varfër në Evropë. Nuk gjej fjalë për të falënderuar ato mijëra familje që edhe pse ishin ngushtë, na bënë vend. Ju falenderoj nga zemra për mikpritjen e fuqishme.  Më lejoni të falënderoj edhe Pandeli Majkon kryeministër në atë kohë dhe zv/kryeministrin e asaj kohe Ilir Metën. Pa lirinë nuk do të ndodhte as Pavarësi. Jam rritur në një familje që e ka dashur gjithmonë Shqipërinë. Kam ardhur në Shqipëri edhe si student. Kam ardhur edhe me heroi Adem Jashari. Çdo lagje e Tiranës dhe e Shqipërisë ndërlidhet drejtpërdrejtë në luftën. Lufta jonë ishte dinjitoze. Falë kauzës sonë të drejtë morëm mbështetjen e SHBA dhe NATO. I sigurtë që brezi ri do të dijë ët shfrytëzojnë lirinë. Misioni i im i parë ka qenë liria i dytë Pavarësia dhe krijimi i Republikës. E them me krenari se është shtet i nderuar është njohur nga 108 shtete. Është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare.”- tha ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërsa në përfundim të fjalës tij Thaçi falenderoi Universitetin e Tiranës për titullin e dhënë, duke shtuar se kjo e obligon akoma më tej që të angazhohet për të ardhmen e Kosovës  dhe kombit Shqiptar
 
“Roli i këtij institucioni është veçanërisht i shquar dhe dua të shpreh mirënjohje të veçantë për ata profesorë që erdhën në Kosovë disa vite më parë dhe dhanë ndihmë të çmuar në konsolidimin e Universitetit “Hasan Prishtina”. Unë ndihem i nderuar jo vetëm për çmimin, por dhe për motivacionin e tij. E pranoj këtë titull me krenari përulësi dhe shumë mirënjohje e konsideroj si obligim për të punuar për të ardhmen e Kosovës dhe të kombit shqiptar.”- tha  Thaçi