Tirana feston Vitin e Ri Kinez 2019

477
Sigal

Festa e Pranverës, e njohur si Viti i Ri Kinez që sivjet nis më 5 shkurt u festua me madhështi mbrëmjen e së premtes në Sheshin “Skënderbej” të Tiranës, sheshi më i madh në Shqipëri, që për herë të parë do të dhurojë deri në 14 shkurt atmosferën e magjishme të simboleve kineze. Sheshi “Skënderbej” i stolisur me një dekor festiv ku bie në sy Dragoi, pandat, lotuset, fenerët e kuq, simbole të Festës së Pranverës, mbrëmjen e së premtes për afro dy orë jehoi nga këngët dhe urimet. Festimi u nis me praninë e ambasadorit të Kinës Zhou Ding, kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministres së kulturës Elva Margariti, zëvendësministrit të jashtëm, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, diplomatë, studentë të Institutit “Konfuci” si dhe qytetarë të Tiranës, por dhe kinezë që jetojnë e punojnë në Shqipëri. Në fjalën e përshëndetjes ambasadori i Kinës, Zhou Ding, i veshur me kostum tradicional kinez pasi tha “Mirëmbrëma!” theksoi se “Sonte nën vështrimin e statujës së heroit kombëtar shqiptar Skënderbeu, nën ndriçimin vezullues të fenerëve kinezë të Muzeut Historik Kombëtar, kultura lindore dhe ajo perëndimore, tradita dhe modernia do të shkëlqejnë e do të shkrihen me njëra-tjetrën. Një traditë e rëndësishme e Vitit të Ri Kinez janë zbukurimet me kurora dhe fenerë shumëngjyrësh , gjë që ndihmon atmosferën e gëzuar të festës dhe tregon shpresën e njerëzve për një jetë të mirë në Vitin e Ri. Sot kam nderin të ndaj me qytetarët e Tiranës këtë traditë të vjetër.

Le të urojmë dhe lutemi për një botë me paqe për vitin e ri, për prosperitet dhe mirëqenie për të dy vendet dhe dy popujt tanë, për një vit të lumtur dhe me mbarësi për qytetarët e Tiranës dhe gjithë popullin shqiptar. Populli kinez dhe ai shqiptar kanë traditë të shkëlqyer të përkushtimit për familjen dhe nderimin e miqësisë, prandaj gjatë festës së Vitit të Ri ata bashkohen me familjen dhe vizitojnë miqtë. Sivjet është 70 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë. Jam i gatshëm që bashkë me miqtë shqiptarë të shfrytëzojmë këtë rast për të shkruar një faqe të re të miqësisë kino-shqiptare, të zhvillojmë më shumë bashkëpunime për të shfaqur fuqishëm bukurinë dhe vitalitetin e Tiranës dhe të vendit të shqiponjave, Shqipërisë”. Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i veshur me kostum tradicional kinez përshëndeti me mjaft entuziazëm të pranishmit. Në fjalimin , ai përshëndeti 300 qytetarë kinezë që jetojnë në Tiranë, duke i quajtur si “tironsit nga Kina” dhe falënderoi mjeshtrit kinezë që kanë zbukuruar sheshin. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se “Tirana është qytet motër me Pekinin. Për herë të parë këtë vit, në bazë të nismës së presidentit Xi Jinping “Një brez, një rrugë”, të gjitha bashkitë e Evropës Lindore dhe Qendrore të 16 vendeve do të zhvillojnë takimin e kryeqyteteve në Tiranë, në muajin tetor. Kjo është një nismë e madhe e qeverisë shqiptare dhe kineze, ku bashkia e Tiranës do të presë kryetarët e bashkive të Rajonit në forumin më të rëndësishëm politik, ekonomik dhe urbanistik mes Kinës dhe këtyre vendeve.” “Kina aktualisht zë ndër vendet e para të turistëve të rinj që kanë zbuluar Shqipërinë. Fale marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi pasur në vitin 2018 patëm mbi 20 mijë turistë kinezë, duke zënë vendin e parë të turistëve nga Azia. Siç kemi folur me ambasadorin kinez i kemi potencialet për 10-fishimin e këtij numri” tha kreu i Bashkisë së Tiranës. Më pas dritat e festës dhe fishekzjarrët ndriçuan qiellin e Tiranës, duke shtuar entuziazmin e të pranishmëve. Ambasadori i Kinës dhe kryebashkiaku Veliaj u ndanë zarfe të kuq studentëve të Institutit “Konfuci”, si dhe u takuan e bashkëbiseduan me studentë kinezë që mësojnë shqipen në Tiranë.