Theu stolat në ”Air Albania Stadium”, arrestohet 19- vjeçari (EMRI)

404
Sigal

Një 19-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë pasi theu stola në “Air Albania Stadium”, gjatë ndeshjes Kukësi-Tirana disa ditë më parë si dhe hodhi sende në fushë.

F.Z. u arrestua në flagrancë dhe është një prej 12 personave të cilët janë fajtorë sipas Policisë në skenat e dhunshme që ndodhën gjatë ndeshjes së Superligës, ndërkohë deri tani janë arrestuar katër veta, ndërsa tetë të tjerë janë në kërkim.

Të premten e kaluar u luajt në “Air Albania Stadium” në Tiranë sfida Kukësi-Tirana, e vlefshme për Superligën, e cila përfundoi me fitoren 1-2 të kryeqytetasve.

Veç spektaklit në fund të ndeshjesh u konstatua se 145 stola nga ana e tifozëve të Tiranës dhe 19 nga ana e tifozëve të Kukësit ishin thyer. Veprimet u dënuan ashpër nga të dyja klubet, FSHF apo dhe nga vetë kryeministri Edi Rama.

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË

Tiranë

Kapet një tjetër person, për shkatërrim të pronës dhe prishje të qetësisë publike. Shkatërroi stolat e stadiumit “Air Albania” dhe hodhi sende të forta në fushë gjatë ndeshjes Tirana-Kukësi, vihet në pranga 19-vjeçari. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në kushtet e flagrancës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, i shtetasit: F. Z., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Nga tërësia e veprimeve procedurale të kryera nga ana e Policisë ka rezultuar se gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana – Kukësi, ky shtetas ka thyer stolat e stadiumit dhe ka hedhur sende të forta në fushën e stadiumit “Air Albania”, Tiranë. Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto veprime të kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Shkatërrimi pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.