Theu masën e arrestit dhe vodhi një motorr, arrestohet 37-vjeçari në Tiranë, prangosen dhe tre të tjerë

48

Katër persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, gjatë 24 orëve të fundit, pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Mes të arrestuarve është edhe një 37-vjeçar, i cili ka thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe ka vjedhur një motorr.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 4 shtetas, si edhe janë proceduar penalisht edhe 2 shtetas të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit të shpallur në kërkim I. B., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe më datë 24.05.2020, rreth orës 20:00, ka vjedhur motorrin e shtetasit O. T.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, i shtetasit N. V., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, në banesë.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

• M. M., 35 vjeç, pasi në rrugën “Teodor Keko” u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.60 mg/l;

•A. Th., 48 vjeç, pasi në rrugën “Myslym Shyri” u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.79 mg/l;

Gjithashtu, po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor filloi procedimi penal për shtetasit:

•F. N., 24 vjeç, pasi në rrugën “Mikel Maruli”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar fëmijën e mitur me iniciale I. Z., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

•F. V., 31 vjeç, pasi në rrugën “Demokracia” Kamzë, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar këmbësorin B. L., i cili pas mjekimit në spital u largua në banesë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.