Thanas Papa: Vendimet e gjykatave shiten e blihen, sekserët milionerë

886
Duam apo nuk duam, si të majtë apo si të djathtë, të politizuar apo indiferentë, për një gjë të paktën biem dakord që të gjithë: Po fillon të ravijëzohet një luftë midis shtetit dhe antishtetit. Jo më kot ka një aktivizim të fuqishëm të ambasadorit amerikan Donald Lu për reformën në drejtësi, për FBI-në shqiptare, jo më kot ka një tension të brendshëm, një lloj alarmi e paniku sidomos tek pushtetarë e politikanë që e kanë “mizën nën kësulë”. Duam apo s’duam, na vjen apo s’na vjen mirë, duhet ta pranojmë se është fjala për një “luftë” të madhe, e cila, nëse rezulton e suksesshme, ka për ta kthyer boshtin e jetës shqiptare nga rruga pa krye, apo gremina e korrupsionit, në rrugën e drejtë, në atë rrugë që e dëshirojmë të gjithë. Shpesh, për të treguar tërësoren, mjafton edhe një detaj domethënës. A nuk është e tillë edhe thënia e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani kur u shpreh se Gjykata e Apelit, Vlorë është në drejtim të paditur dhe gjyqtarët aty gjykojnë sikur e kanë ditën e fundit? Sigurisht, dhe për ta mbështetur këtë mendim secili prej nesh mund të sillte me qindra raste, por le të mbetemi tek përvoja ime e hidhur, zhgënjyese dhe indinjuese. Në Gjykatën e Apelit, Vlorë, kam pasur për gjykim një çështje civile me objekt detyrimi për njohjen bashkëpronar të pasurive të paluajtshme që vijnë si rezultat i subjektit të shpronësuar. Më konkretisht: familja Papa është një familje e njohur për virtytet dhe patriotizmin e saj në Kutalli të rrethit të Beratit. Pinjollët e kësaj familje që përbëjnë trungun familjar të familjes Papa si, Peçi, Taqi dhe Tuni Papa, janë lindur, janë rritur dhe kanë jetuar së bashku në një shtëpi, derisa u ndanë në vitin 1953. Familja Papa posedon shumë pasuri të paluajtshme si, toka bujqësore, truall shtëpie, ullinj, një shtëpi me tetë dhoma dhe oborr, etj. Të gjitha këto prona figurojnë të inventarizuara vetëm në emër të Peçi Papës, si vëllai më i madh dhe kryefamiljar. Në këto kushte, për t’u bashkëpronarë të këtyre pasurive që ne të tjerët trashëgojmë nga të parët tanë, i jemi drejtuar gjykatës së rrethit gjyqësor Berat me kërkesë – padi, duke kërkuar njohjen tonë si bashkëpronarë të pasurive të lartpërmendura, me palë të paditur Sotir Papa (kushëri i parë), i biri i Peçi Papa, etj. Po përmend vetëm këto prova arkivore, hipotekore e shkresore si dokumentacion që vërteton pretendimin tonë:
1. Dokumenti autentik i vetë Peçi Papa që i shkruan KQPPSH se “kjo pasuri nuk është vetëm e imja, por e familjes sime e përbërë prej 35 vetash, me vëllezër dhe kushërinj”;
2. Deklarata noteriale e vetë Sotir Papa, e datës 14.1. 2011, ku pranon vetë se pronat e regjistruara në emër të tij para vitit 1945 kanë qenë bashkëpronësi me kushëririn e tij Tuni Papa dhe vëllain e tij, Taqi Papa; si dhe deklarata noteriale e datës 6.10.2010;
3. Relacioni i Komitetit të Partisë së Punës Roskovec, datë 12.3.1954, Mbi verifikimin në vend të lutjes së Peçi Papa nga katundi Kutalli. U bë verifikimi në vend dhe del se përbëhet nga 32 vetë (Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1953, dosja 562, fleta 115;
4. Deklarata noteriale e tri dëshmitarëve okularë të fshatit Kutalli, të cilët mbështesin edhe prova të tjera të datës 21.5.2010, lëshuar nga Qani Hajdari, Jorgji Qendro dhe Skendo Hyka.
Shkurt, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat vendosi ta pranojë kërkesë-padinë tonë, duke na njohur bashkëpronarë. Mirëpo pala e paditur ankimoi në Gjykatën e Apelit, Vlorë, e cila vendosi ta prishë vendimin e shkallë së parë Berat dhe të pushojë gjykimin. Arsyetimi: drejtoju AKKP Tiranë që ta trajtojë ajo pretendimin e ngritur?! Shumë pikëpyetje mund të ngrihen, por më kryesorja është: AKKP, pra Agjencia e Kompensimit dhe kthimit të Pronave, Tiranë, është thjesht Agjenci apo Gjykatë? Dhe, a ka kompetencë apo mundësi ligjore AKKP që të vërtetojë je apo s’je bashkëpronar? Si ka mundësi që Gjykata e Apelit Vlorë nuk shprehet nëse jam apo jo bashkëpronar? Përse kjo gjykatë kërkon të përdorë mekanizma të tjera jashtë gjyqësorë? Përse i atribuon AKKP-së atribute që nuk i takojnë? Referuar ligjit nr. 7698, datë 15.4.1993, “ Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar (që janë marrë në referencë dhe janë arsyetuar nga Gjykata e Apelit, Vlorë), në përmbajtje të tyre dhe vështrim të frymës së tyre, nuk përfaqësojnë dhe nuk janë mënyra të fitimit të pronësisë. Qëllimi dhe roli i AKKP sipas ligjit është: si formë e parë është kthimi i gjendjes së parë, d.m.th të marrëdhënies juridike që ekzistonte para shtetëzimit, shpronësimit, konfiskimit, etj., (restitucioni natyral) dhe, kur kjo formë nuk është e mundur, aplikohet forma e dytë, që bëhet nëpërmjet zëvendësimit të dëmit nëpërmjet kompensimit. Referuar vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, nr. 1, datë 6.1.2009, shprehet se regjistrimi ka vlerë deklarative në kuptimin që nuk është kusht për fitimin e të drejtës mbi pasuritë e paluajtshme dhe nuk garanton në mënyrë absolute vlefshmërinë e të drejtës pronar i ligjshëm. Në kushtet kur Peçi Papa ishte kryefamiljar dhe jo pronar, kur nuk ishte vetëm, por së bashku me Taqi dhe Tuni Papa, pronësia fitohet me vendim gjykate dhe jo me vendim të AKKP. Përse, pra, Gjykata e Apelit Vlorë e “pagëzon” AKKP-në si të ishte Gjykatë? Mund të kisha përmendur me dhjetëra shkelje të Gjykatës së Apelit Vlorë, por për ilustrim po përmend vetëm tre:
1. Prokura e përfaqësimit të palës së paditur që përfaqësohej në këtë proces nga i biri, Irakli Papa, i është dorëzuar Gjykatës nga ky i fundit, më 28.3.2016, ditë e cila ka qenë ditë pushimi zyrtar, pasi kanë qenë Pashkët, ndërkohë që Gjyqi ishte më 29.3.2016?!
2. Kundër ankimeve të palëve të paditura kam paraqitur kundër ankim, në referim të nenit 456 të Kodit të Procedurës Civile dhe konkretisht, më 25.12.2014, mirëpo këto kundër ankime nuk ndodheshin në dosje. Pra, ishin hequr nga dosja gjyqësore?!
3. Po kështu ndodhi edhe në Gjykatën e rrethit Berat, (po përdor fjalën heqje, se s’dua të përdor fjalën vjedhje) ku më janë hequr prova, të cilat i kam depozituar disa herë.
Nuk po përmend “stilin bashkëkohor” të punës së gjykatave, pra stilin me sekserë, të cilët të kërkojnë euro ( leku është paksa demode në këto punëra?!) për të ndërhyrë për të lënë në vend vendimin e një gjykate, për të prishur vendimin e një tjetre, apo për të spostuar çështjen në kalendat greke, ku krahas pareve, shëndetit, njeriu ndihet i shkatërruar psikologjikisht, sociologjikisht, shtetërisht… Përse? Deri kur? Vendimet e Gjykatave shiten e blihen. Ky treg luksoz po majm gjyqtarë dhe sekserë. Mirëpo shitja dhe blerja e vendimeve gjyqësore, është edhe shitje dhe blerje e vetë fytyrës së shtetit, është edhe një kambanë alarmi.
Sigal