Testet e shpejta të sigurta, për kryerjen do të vendosë mjeku i familjes / Flet drejtoresha e ISHP

260
Sigal

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik siguroi se testet e shpejta të mbërritura në Shqipëri për pandeminë janë të certifikuara ndërkombëtarisht. Në një komunikim mediatik, Fico tha se me këto teste gjurmimi i rasteve do të jetë më i lehtë. E pyetur se kush vendos për kryerjen e një testi të shpejtë, Albana Fico u përgjigj se këtë vendim e merr mjeku i familjes.

“Nëse e mbani mend, ka patur gjithmonë një presion për të futur në testim testet e shpejta. Ne kemi pritur edhe që të vijmë tek cilësia e testeve që janë të certifikuar ndërkombëtarisht. Testi i antigenit, ndryshe nga PCR ka në vetvete dedektimin ose gjetjen e një proteine që vjen nga prezenca e virusit. Është 99-100% e njëjtë me atë të PCR. Lehtëson gjurmimin. Është i arritshëm, bëhet përmes një tamponi nga hunda dhe nga goja dhe ky material futet në një tub të caktuar. Është diçka si testi i shtatzanisë. Është e bëshme, ka rezultate shumë të mira. Testet që po i ofrohen popullatës shqiptare janë të certifikuara. Numri i shtuar i testeve të shpejta nuk ka përjashtuar pas dere PCR, me të cilin do të punojmë në të gjitha rastet spitalore të rëndësishme, ato raste që duhen konfirmuar. Testet e shpejta do të përcaktohen nga mjeku i familjes. Ai do të gjykojë nëse do të kryejë një testim të shpejtë apo rasti do të dërgohet tek 127.”

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi gjatë paradites se duke filluar nga e hëna do të aplikohet testimi i shpejtë i antigenit. Në Shqipëri mbërritën 100 mijë teste të shpejta për COVID dhe përdorimi i tyre do të nisë nga Tirana.