Tërmeti zhvendos të burgosurit në burgje

517
Sigal

Ministria e Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë bërë evakuuimin e 119 të burgosurve në nga burgu i Shën Kollit për në burgun e Shkodrës.

‘Njoftim për shtyp

Për shkak të situatës së krijuar si pasojë e lëkundjeve sizmike, Ministri i Drejtësisë ka ngritur shtabin e emergjencave me qëllim ndjekjen dhe përballimin e gjendjes aktuale në të gjithë IEVP-të e vendit.

Që në momentet e para, me urdhër të ministrit të Drejtësisë, është rritur gatishmëria në masën 30% të policisë së burgjeve dhe grupeve të shoqërimit, duke kaluar në “Gadishmëri të përforcuar”,  në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe në 15 Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të cilat ndodhen në zonat e prekura nga fatkeqësia natyrore.

Ministrja Gjonaj, e shoqëruar nga shtabi i emergjencave gjatë këtyre orëve ka inspektuar nga afër të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale më të prekura nga lëkundjet sizmike, IEVP “Lezhë”, “Durrës”, “Fushë-Krujë” dhe “Jordan Misja”( burgu313).

Nga vlerësimet e bëra deri më tani, pavarësisht gjendjes emocionale që ka shkaktuar paniku i lëkundjeve sizmike, gjendja shëndetësore te të dënuarit dhe paraburgosurit në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale paraqitet e mirë dhe pa probleme. Përveç dëmeve materiale nuk ka pasur asnjë problematikë tjetër lidhur me jetën dhe shëndetin e të gjithë punonjësve por edhe të dënuarve si pasojë e lëkundjeve sizmike.

Ekipet e vlerësimit të Ministrisë së Drejtësisë të shoqëruar nga ekspertët e fushës, kanë kryer verifikimet në të gjitha godinat e IEVP-ve, të cilat kanë rezultuar në tërësi pa probleme serioze.

Problematike nga vlerësimi i kryer paraqitet vetëm për seksionin nr 2 të IEVP-së Lezhë, duke evidentuar mungesën e qëndrueshmërisë së kësaj godine.

Për këtë arsye, gjatë orëve të paradites së ditës së sotshme u vendos evakuimi i 119 të të dënuarve që qëndronin në këtë godinë duke i transferuar në IEVP-në Shkodër.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve janë marrë masat maksimale të sigurisë për transferimin e të dënuarve dhe aktualisht ky proces ka përfunduar dhe të 119 të dënuarit të sigurisë së zakonshme janë sistemuar në IEVP-në Shkodër. Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë janë marrë të gjitha masat për shtimin e punonjësve të policisë së burgjeve me qëllim funksionimin normal dhe garantimin e sigurisë.

Ministria e Drejtësisë së bashku me të gjitha strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të sigurisë është e angazhuar maksimalisht në marrjen e të gjitha masave për përballimin me sukses të kësaj situate si dhe duke mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm të gjitha institucionet.-thuhet në komunikatën për shtyp