Tërmeti tragjik/ Sot raporti i dëmeve, pritet të konfirmohet shifra 1 miliard euro

181

Pritet të publikohet gjatë paradites së sotme Raporti i Vlerësimit të Nevojave pas Tërmetit- Gjetjet kyçe dhe ecuria në vijim.

Krahas ministrit z.Bledi Çuçi, drejtues Qendror i Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, do të jenë të pranishëm edhe Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca; Koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri, z. Brian J. Williams; znj.Evis Sulko nga Banka Botërore, si dhe ekspertja e PDNA, znj. Natalia Rodriguez, sipas njoftimit zyrtar.

Në fund të vitit të kaluar, me kërkesën e Qeverisë së Shqipërisë, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore u angazhuar të kryejnë së bashku një vlerësim gjithëpërfshirës të pasojave, ndikimeve dhe nevojave që vijnë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Mësohet se vlera e dëmeve, që do të raportohet, është rreth 1 miliard euro, po aq sa shifra që deklaroi dhe kryeministri Edi Rama pak ditë më parë në një bisedë me Luigi Di Maio, Ministër i Punëve të Jashtme të Italisë.Katastrofa natyrore i kushtoi Shqipërisë jetën e 51 personave dhe la të paktën 14,000 banorë pa shtëpi. Qindra ndërtesa kanë pësuar dëme serioze.Objektivi kryesor i Vlerësimit të Nevojave Pas Katastrofës (PDNA) është të ndihmojë qeverinë e Shqipërisë për të vlerësuar ndikimin e tërmetit dhe për të përcaktuar një strategji për rimëkëmbjen, përfshirë përllogaritjen e kostove të saj financiare.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca ka pohuar në një intervistë të mëparshme për Monitor se PDNA-ja është një qasje ndërkombëtare e hartuar së bashku nga BE-ja, BB-ja dhe OKB-ja, dhe kështu vendimi i Shqipërisë për ta përdorur këtë metodologji do të japë besueshmërinë dhe sigurinë që u nevojitet donatorëve për ta ndihmuar Shqipërinë.

“Objektivi kryesor është i dyfishtë: së pari, të vlerësojë efektet dhe ndikimin e tërmetit në sektorët dhe popullsinë e prekur dhe në përgjithësi në zhvillimin socio-ekonomik të zonave të prekura dhe në një nivel më të gjerë kombëtar; së dyti, për të përcaktuar një strategji të rimëkëmbjes me afat të shkurtër, të mesëm dhe më të gjatë, duhen veprime me përparësi dhe vlerësim kostosh, si dhe një strukturë ndërhyrjeje.

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se PDNA-ja adreson si dëmin fizik, ashtu edhe dimensionet e tjera, të tilla si qasja në shërbime, aspektet e qeverisjes, reduktimi i rreziqeve dhe dobësive, si dhe humbjet ekonomike. Prioriteti i të gjithëve këtu është “të rindërtojmë më mirë” për të rritur aftësinë ripërtëritëse të këtyre zonave”, ka pohuar z.Soreca.

Komisioni Evropian ka njoftuar një angazhim të parë prej 15 milionë eurosh për nevoja të rimëkëmbjes, dhe i ka ofruar Shqipërisë të organizojë një konferencë të donatorëve për të mobilizuar burimet financiare bazuar në raportin e PDNA-së, që do të zhvillohet më 17 shkurt, në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel.

Do të ftohen më shumë se 140 vende, organizata ndërkombëtare, institucione financiare ndërkombëtare, sektori privat dhe përfaqësues të shoqërisë civile në nivelin më të lartë.

Dëmi sa 10% e ekonomisë

Shifra e dëmeve është shumë më e lartë sesa vlerësimi fillestar në rreth 600-700 milionë euro dhe përbën gati 10% të prodhimit të Brendshëm Bruto (vlerës së mallrave dhe shërbimeve përfundimtare që prodhohen nga ekonomia në një vit).

Shifra është e barabartë me rreth një të katërtën e buxhetit vjetor të shtetit, ndërsa gjithë shpenzimet kapitale janë rreth 700 milionë euro.

Duke pasur parasysh madhësinë e ekonomisë, me forcat e veta, vendi e ka të pamundur që të sigurojë një shumë të tillë.

Deri tani nga buxheti i shtetit janë alokuar për rindërtimin rreth 200 milionë euro, ndërsa shpresa është tek donatorët.

Qeveria shpreson që projekti i rindërtimit të nxisë rritjen ekonomike përgjatë këtij viti dhe në vijim. Për 2019-n, Qeveria e rishikoi zyrtarisht vlerësimin për rritje në 2.7%, nga 4.3% që ishte pritshmëria në fillim të 2019-s, edhe për shkak të tërmetit në fund të nëntorit.

Por, për 2020-n, pritshmëria ka mbetur e lartë në 4.1%. Me konsumin që është tkurrur për shkak të emigracionit e tërmetit, ndikimit të tërmetit në turizëm dhe mbarimit të projekteve të mëdha, fondet e rindërtimit mbeten burimi kryesor që do të nxisë ekonominë këtë vit.