Tensione mes serbëve dhe boshnjakëve në Bosnjë, Meta: Angazhohuni në dialog, po rrezikoni stabilitetin rajonal

185
Sigal

Presidenti Ilir Meta reagon lidhur me zhvillimet  e fundit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai iu bën thirrje politikanëve të Republikës Serbe dhe të Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës që të angazhohen në dialog.

Në një postim në “Facebook”, Kreu i Shtetit shpreh shqetësimin “për përshkallëzimin e përpjekjeve të Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës për t’u tërhequr nga institucionet shtetërore dhe për të krijuar institucionet paralele të ushtrisë, gjykatave dhe sistemit tatimor”.

Sipas Metës, duke minuar Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, rrezikohet seriozisht stabiliteti rajonal dhe vështirësohet jetesa e qytetarëve të të gjitha nacionaliteteve.

Reagimi i Metës:

Shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e përpjekjeve të Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës për t’u tërhequr nga institucionet shtetërore dhe për të krijuar institucionet paralele të ushtrisë, gjykatave dhe sistemit tatimor.

Iniciativa e ligjvënësve të Parlamentit të Republikës Serbe për të filluar punën për krijimin e këtyre institucioneve dhe hartimin e një Kushtetute të re, shkojnë në drejtimin e kundërt të përpjekjeve 26-vjeçare të qytetarëve boshnjakë, liderëve lokalë dhe bashkësisë ndërkombëtare për të forcuar paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Duke minuar në këtë mënyrë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, rrezikohet seriozisht stabiliteti rajonal dhe vështirësohet jetesa e qytetarëve të të gjitha nacionaliteteve, që aspirojnë paqe dhe begati. Gjithashtu, ato dëmtojnë rëndë shtetin ligjor dhe perspektivën e integrimit europian të vendit dhe rajonit.

Bëj thirrje për angazhimin në dialog të politikanëve të Republikës Serbe dhe të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në mirëbesim reciprok, me qëllim avancimin e reformave të nevojshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve, avancimin e proceseve integruese të shtetit të tyre, çka do t’i shërbente edhe forcimit të paqes e sigurisë në mbarë rajonin e Ballkanit Perendimor.