Tenderi i Hemodializës shkon në “kalendat greke”

595
Më datë 05 maj, rreth një muaj pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit nxori shkelje të rënda në tenderin e Hemodializës, u hapën dokumentet e tenderit për furnizimin me materiale konsumi për pacientët dialitikë në QSUT “Nënë Tereza” Ajo që ra në sy në këtë tender, ishte mungesa e konkurrencës. Në lotin kryesor për “Filtra Linja dhe Age”, morën pjesë dy kompani, ku njëra është rreth 30% më ulët se kompania tjetër, megjithëse furnizon prodhime të Europës perëndimore, ku 90% janë me origjinë gjermane dhe 10% italiane. 

Provat e mostrave të konsumit 

Sipas Ligjit të Prokurimit, u kryen provat e mostrave të konsumit, të cilat që të dy kompanitë i kaluan. Megjithëse provat u kaluan, kompanisë me çmim më të ulët iu kërkuan mostra konsumi shtesë për të ribërë provat. Edhe këto prova u kryen dhe gjithçka rezultoi kompatibël me makinat dhe konform të gjithë parametrave të cilat i kërkon Hemodializa. I gjithë stafi mjekësor dhe jo vetëm, vuri re që nuk pati as komplikacione madhore dhe as komplikacione minore me pacientët. Megjithatë, çuditërisht tenderi nuk arrin dot që të mbyllet dhe kalon limitin prej 20 ditësh të lejuar nga Agjencia e Prokurimit Publik. Ndoshta, sipas formatit të vjetër, të tenderave të mëparshëm (gjë që shpjegon mungesën e thellë të konkurrencës) dikush kishte përgatitur një relacion ku për të respektuar urdhrin e drejtoreshës që gjithçka duhej të mbaronte më datë 31.05.2016, duke injoruar faktet e kompatibilitetit dhe të të gjithë provave me sukses, kompania me çmim më të ulët duhej të skualifikohej dhe të fitonte bashkimi i operatorëve me çmim pranë fondit limit. 

Manipulimi i tenderit

Gjëja dukej totalisht e qepur mirë, paçka vërejtjeve që kishte bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit në kontrollin e fundit në QSUT, për tenderat e Hemodializës të bërë në vite. Sipas skenarit përgjegjësinë do ta mbanin mjekët. Dikush kishte përgatitur një relacion të bërë gjatë kohës që kolegët e tyre kishin qenë në Kongresin e Nefrologjisë në Vjenë. Për 5 minuta relacioni duhej të miratohej dhe tenderi duhej të vazhdonte rrugën e tij me fitues bashkimin e operatorëve me çmim pranë fondit limit. Fakti që mjekët kishin marrë gjithë informacionin që provat (si të parat ashtu dhe të dytat) kishin kaluar me sukses të plotë, ishte injoruar fare. Mirëpo hesapet nuk ishin bërë mirë. Mjekët e Hemodializës u rebeluan të gjithë duke thënë që “…provat kanë dalë me sukses. prandaj tenderi ka përfunduar..në qoftë se doni le t’i ribëjmë provat dhe të bëjmë relacionin përkatës së bashku, bëjmë metodikën e injektimit të heparinës njëlloj për të gjithë pacientët…”. Kjo gjë nuk i interesoi dikujt dhe gjithçka vazhdon të rrijë në stand-by. Ndërkohë që ditët kalojnë, vonesa justifikohet me lejen që është marrë në Agjencinë e Prokurimit Publik për ditë-shtyrjen e vendimit (duke përfituar nga një klauzolë ligjore) ditë-shtyrje kjo që nuk shfrytëzohet për të bërë prova të reja ose diskutime rreth së vërtetës, por ndoshta që të shfrytëzohet si mjet presioni ndaj mjekëve rebelë ose për lëvizje okulte. Vetëm këtu na shkon mendja, pasi megjithëse magazinat e QSUT janë pa mall, ditët kalojnë pa u bërë asnjë veprim.
Sigal