Tenderi “Blerje autoshkalle për MZSH” në Durrës u kushtoi lirinë 8 personave

171
Sigal

Mëngjesin e së premtes, SPAK “zbarkoi” në bashkinë Durrës për të konfiskuar dokumentet e tenderit të zhvilluar rreth një vit më parë “Blerje autoshkalle për MZSH”, procedurat e të cilit u zhvilluan në periudhën maj-qershor 2020.

Tenderi me vlerë 7 083 300 u shpall në datë 07.05.2020 në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, ndërkohë që në datë 19.05.2020 u hapën në bashkinë Durrës dokumentet e dorëzuara nga 8 kompani pjesëmarrëse në garë.

Tenderi i autoshkallës për zjarrfikësen i kushtoi dje lirinë 8 personave, mes të cilëve drejtorit të zjarrfikëses Durrës, Adriatik Velaj, anëtarëve të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës, anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe administratorit, ortakëve dhe punonjësve të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., kjo e fundit fituese e tenderit të zhvilluar nga organi i qeverisjes vendore.

Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimit të detyrës”, ‘Shkeljes së barazisë së pjesmarrësve në tendera apo ankande publike’ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i K.Penal. si dhe “Falsifikimit të dokumentave”.

Nga dokumentet e tenderit të publikuar në “Open Data Albania”, firma fituese ka paraqitur ofertën më të vogël, në vlerën 5.500.000 lekë, ose 22% më pak sesa vlera e tenderit.

Nga tenderi janë skualifikuar vetëm 2 kompani, nga 8 të pranishme në garë, njëra sepse nuk plotësonte kriteret e kërkuara për autoshkallën, ndërsa tjetra sepse në dokumentacion kishte paraqitur autokullë dhe jo autoshkallë. Kompanitë jo fituese nuk kanë paraqitur asnjëra ankesë.

Në dukje gjithçka paraqitet konform ligjit, por ajo që çoi në prangosjen e 8 personave, ishte mungesa e kondicionerit në autoshkallë.

Burime konfidenciale bëjnë të ditur se SPAK çoi pas hekurave 8 shtetas, pikërisht për një kondicioner.

Autoshkalla që u bë shkak për prangosjen e 8 personave, nuk është marrë në dorëzim nga drejtori i zjarrfikëses, Adriatik Velaj, njëkohësisht një nga anëtarët e grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës, por sërish ai është vënë në pranga nga SPAK.

Mjeti është marrë në dorëzim vetëm nga punonjësit e bashkisë, të arrestuar një ditë më parë.

Duke mos dashur të minimizojmë aksionin e ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shkeljen e ligjit nga personat e akuzuar, arrestimi i 8 shtetasve për një kondicioner duket më shumë një “show” i radhës siç jemi mësuar të shohim shpesh, sesa një goditje e mirëmenduar për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Nxitimi i efektivëve për të arrestuar mëngjesin e së premtes para bashkisë (aq sa iu morën edhe këmbët) pritet të sfumohet në seancën e masës së sigurisë.

Në garën për të kapur atë që ish-ambasadori amerikan Donald Lu e konsideronte “peshku i madh”, në rrjetën e SPAK po mbesin vetëm cironka.

Nëse aksioni i një dite më parë do të sfumohet me disa masa sigurie “Detyrim paraqitje”, show-t e SPAK do t’i përngjajnë aksioneve për prangosjen e debitorëve të OSHEE-së, kur pas hekurave, me dënime me burg, përfundonin vetëm njerëzit e thjeshtë dhe jo abuzuesit e vërtetë.